Lidhje

SHBA shprehin shqetësim për fatin e aktivistit kinez Chen Guang-cheng

  • Zëri Amerikës

Një organizatë për të drejtat e Njeriut në Kinë, me seli në Shtetet e Bashkuara thotë se disidenti kinez Chen Guang-cheng ndodhet nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe se zyrtarët amerikanë dhe ata kinezë kanë hapur bisedime lidhur me fatin e tij.

Organizata ChinaAid nxori sot një deklaratë ku citon burime të afërta me disidentin e verbër Chen, megjithëse nuk pati hollësi të shumta. Sipas organizatës, zhvillimet e fundit janë një moment kyç për diplomacinë amerikane në mbështetje të të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara shprehën dje shqetësim lidhur me fatin e një disidenti të verbër kinez. Sipas njoftimeve disidenti Chen Guang-cheng ka kërkuar strehim në ambasadën amerikane në Pekin, por Departamenti i Shtetit nuk ka pranuar të bëjë komente lidhur me vendndodhjen e tij.

Të premten, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland shprehu shqetësim për aktivistin që u arrestua pasi kishte dokumentuar keqtrajtime në zbatimin e politikës kineze për kufizimin e lindjeve.

Zoti Chen u zhduk të dielën e kaluar nga një fshat në provincën lindore Shandong, por mungesa e tij nuk u vërejt deri të enjten. Një mik i tij mendon se ai është futur në ambasadën amerikane.

Diplomatët amerikanë nuk kanë pranuar të bëjnë komente dhe një zëdhënës i qeverisë kineze tha se nuk ishte në dieni të njoftimeve për disidentin.

XS
SM
MD
LG