Lidhje

SHBA: Shqipëria dhe Kosova në shkallën e dytë të klasifikimit mbi trafikimin njerëzor


Me një ceremoni në Departamentin e Shtetit, Sekretarja Hillary Rodham Clinton paraqiti të martën pasdite Raportin mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. Raporti bën vlerësimin e përpjekjeve të qeverive kudo në botë për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Në pjesën për Shqipërinë, raporti thotë se ajo është kryesisht një vend burimi ku burra, gra dhe fëmijë i nënshtrohen trafikimit për seks dhe punë të detyruar, duke përfshirë detyrimin e fëmijëve për të lypur. Në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion, dhe ndoshta vend tranzit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar. Raporti thotë se qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.

Viktimat shqiptare, thuhet në raport, janë objekt i kushteve të punës së detyruar dhe trafikimit për seks në Greqi, Itali, Maqedoni, Kosovë, Serbi dhe kudo në Evropën Perëndimore.

Shqipëria vazhdon të jetë vend i klasifikuar në shkallën e dytë përsa i përket trafikimit të qënieve njerëzore. Në klasifikimin e Departamanetit të Shtetit janë gjithsej katër shkallë, ku shkalla e parë përfshin vendet që i përmbahen plotësisht standardeve minimale për eliminimin e trafikut.

Autoritetet kanë raportuar se gjatë vitit në Shqipëri kanë gjetur viktima trafikimi nga Greqia dhe Ukraina. Fëmijët janë shfrytëzuar për seks komercial, lypje të detyruar dhe kriminalitet të detyruar, si vjedhje dhe shpërndarje droge. Edhe vajzat i janë nënshtruar prostitucionit ose punës së detyruar pas martesave me detyrim. Ka prova, thuhet në raport, se burra shqiptarë i janë nënshtruar punës së detyruar në bujqësi në Greqi dhe në vende të tjera fqinje.

Qeveria e Shqipërisë, thotë raporti, nuk u është përmbajtur plotësisht me standardet minimale për eliminimin e trafikut. Megjithatë ajo po bën përpjekje të rëndësishme për këtë qëllim. Gjatë vitit, qeveria shtoi aftësitë për të identifikuar viktimat e trafikimit si dhe përdori programin për mbrojtjen e dëshmitarëve për të mbrojtur një viktimë trafikimi.

Raporti rekomandon që Shqipëria të verë në zbatim procedura të reja standarde për identifikimin e viktimave si dhe të shtojë fondet për organizatat joqeveritare që merren me ndihmën për viktimat.

Ai rekomandon gjithashtu që të merren masa për vazhdimin e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe të hetojë në mënyrë aktive rreth zyrtarëve që mund të kenë gisht në trafikimin e qënieve njerëzore.


Përsa i përket Kosovës, Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 thotë se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës. Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar - vazhdon vlerësimin DASH - janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë. Gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese, dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Raporti citon policinë e Kosovës për të përmendur se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e trafikimit të seksit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.

Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria ka vazhduar zbatimin e procedurave operative standarde të saj të përqëndruara tek viktimat si dhe standardet minimale për kujdesin e viktimave të trafikimit. Përpjekjet nga ana e qeverisë së Kosovës për parandalim e trafikimit vazhduan të jenë shumë të forta, duke përfshirë thirrje me bazë të gjerë në media, përqëndrim tek të rinjtë, dhe koordinim qeveritar në disa nivele. Por raporti i DASH i referohet organizatave ndërkombëtare duke thënë se është vërejtur se gjyqësori dhe prokurorët mbeten jo plotësisht të aftë për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit, duke rezultuar në vënie të pamjaftueshme para përgjegjësisë të autorëve të trafikimit. Pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve të qeverisë, asnjë zyrtar qeveritar nuk është dënuar për bashkëpunim.

Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 i Departamentit amerikan të Shtetit rendit edhe disa rekomandime për Kosovën, duke kërkuar që vendi të bëjë përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për seks dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim; të rrisë trajnimin specifik për trafikimin të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014; të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.

Për Departamentin amerikan të Shtetit është e rëndësishme gjithashtu që të sigurohet që të gjitha viktimat e trafikimit të lejohen të lënë vendstrehimet sociale të papërgjuar dhe me vullnetin e tyre e të financohet në mënyrë të përshtatshme në nivel komunal puna sociale e kujdesit për viktimat e trafikimit. Raporti thotë se Kosova duhet të vazhdojë vlerësimin e programeve të trafikimit për të siguruar efikasitetin e tyre; të sigurojë që emigrantët pa dokumenta të jenë shqyrtuar për të parë nëse janë viktima të trafikimit para se të dërgohen në vendet e tyre; të përmirësojë procedurat e kthimit për t’u lejuar viktimave të trafikimit të kenë mundësi të përdorin këto procedura kthimi; të ndajë të dhënat e autoriteteve ligjore për anti-trafikimin seksual nga ai i punës si dhe të vazhdojë fushatat për ndërgjegjësimin e publikut, duke përfshirë edhe fushata rreth rreziqeve të lypjes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG