Lidhje

SHBA shqyrtojnë të gjitha mundësitë për Libinë


SHBA shqyrtojnë të gjitha mundësitë për Libinë
SHBA shqyrtojnë të gjitha mundësitë për Libinë

Ndërkohë që Presidenti Barak Obama pritet të flasë sot publikisht rreth gjendjes në Libi, zëdhënësi i tij thotë se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të mbajnë hapur të gjitha opsionet për t’u marrë me situatën.

Ndërsa udhëheqësi libian Muamer Gadafi po shpërfill thirrjet për të dhënë dorëheqjen dhe forcat e tij po shtojnë sulmet ndaj luftëtarëve të opozitës, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre janë gjithnjë e më shumë nën trysni për të vendosur një ndalim fluturimi mbi Libi.

Rëndësia e kësaj çështjeje u theksua pas njoftimeve se avionët e qeverisë së Libisë kanë kryer sulme mbi një vendbanim midis qytetit Brega, qendër e rafinimit të naftës, dhe qytetit të dytë më të madh, Bengazi, i cili kontrollohet nga kryengritësit.

Zëdhënësi i Presidentit Obama, Xhej Kerni, përsëriti atë që ua ka thënë gazetarëve gjatë javës, se një zonë e ndalim-fluturimit është ndër opsionet që “po shqyrtohen në mënyrë aktive”.

Ai dha këtë përgjigje dje kur u pyet në lidhje me vërejtjet e Sekretarit të Mbrojtjes Robert Gejts gjatë një dëshmie në Kongres se vendosja e ndalim-fluturimit do të ishte një “operacion i madh” dhe do të kërkonte sulme ushtarake kundër mbrojtjes ajrore të Libisë.

“Opsionet e tjera mbeten në tavolinë. Fakti që ideja e ndalim-fluturimit është e ndërlikuar nuk do të thotë se nuk është në tryezë, kështu që nuk ka ndonjë mospërputhje mes asaj që ka thënë Sekretarja Klinton tha asaj çfarë ka thënë Sekretari Gejts”.

Pyetjes nëse Shtëpia e Bardhë ka hasur në kundërshtimin e Sekretarit Gejts apo drejtuesve ushtarakë rreth mundësisë së ndalim-fluturimit, zoti Kerni iu përgjigj, “jo aspak”. Ai shtoi se administrata deri dje në mesditë nuk kishte asnjë njoftim në lidhje me opsionet që mund ose nuk mund të ndërmerren.

Për çështje të tjera, Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë dje duke dhënë hollësi rreth një telefonate nga Presidenti i Jemenit Ali Abdullah Sale, në të cilën udhëheqësi jemenas kërkoi falje për ndonjë “keqkuptim” të shkaktuar nga komentet që kishte bërë më parë.

Në një fjalim në Universitetin e Sanasë të martën, Presidenti Sale tha se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli janë përgjegjës për valën e protestave në rajon dhe akuzoi drejtpërdrejt Presidentin Obama për ndërhyrje në punët e vendeve arabe.

Në një bisedë telefonike me këshilltarin e presidentit për çështje kundër terrorizmit, Xhon Brenan, Presidenti Saleh tha, sipas Shtëpisë së Bardhë, se ai është “i angazhuar në mënyrë të vendosur ndaj reformave domethënëse politike në Jemen dhe se përpiqet me elementët e opozitës për të arritur reforma përmes një ecurie demokratike, gjithëpërfshirëse dhe paqësore”.

Zoti Brenan, sipas deklaratës, tha se komentet që përpiqen të “gjejnë fajtor për zhvillimet e fundit në rajon janë të padobishme meqë shpërfillin aspiratat legjitime të popullit në botën arabe”.

Gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, sekretari për shtyp Xhej Kerni u pyet gjithashtu në lidhje me nivelin e shqetësimit rreth Jemenit dhe për një deklaratë të klerikut jemenas Abdul Maxhid el-Zindani, i cili bëri thirrje për krijimin e një shteti islamik në Jemen.

Në përgjithësi, tha zoti Kerni, demonstratat në Jemen, si ato në vendet e tjera të rajonit, kanë një bazë të gjerë dhe janë të përqendruara në reforma demokratike.

“Fakti që një njeri ka bërë thirrje për ndryshime të një lloji nuk pasqyron domosdoshmërisht ndryshimet që jemenasit po kërkojnë në shkallë të gjerë”.

Presidenti Obama pritet të flasë në lidhje me Libinë dhe me gjasë edhe për situatën në vendet e tjera në rajon sot, ndërsa takohet me Presidentin meksikan Felipe Kalderon, i cili viziton Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG