Lidhje

Shtëpia e Bardhë: përparim kundër Al-Kaidës

  • Dan Robinson

Shtetet e Bashkuara rihapën disa nga misionet diplomatike në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut të hënën, ndërkohë që 19 ambasada dhe konsullata në rajon mbeten të mbyllura për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Ambasadat në Bagdad, Kabul, Algjer dhe Dhaka janë në mesin e misioneve diplomatike që Departamenti i Shtetit i ka autorizuar për rihapje.

Zyrtarët amerikanë mbyllën misionet diplomatike dhe lëshuan një paralajmërim global për qytetarët amerikanë në botë javën e kaluar për shkak të mundësisë për sulme terroriste.

Departamenti i Shtetit tha se 19 misione diplomatike do të qëndrojnë të mbyllura deri të shtunën në mesin e të cilave janë ambasadat në Aman, Kajro, Sana dhe Tripoli.

Shtëpia e Bardhë të hënën diskutoi kërcënimin e vazhdueshëm nga Al-Kaida në Gadishullin Arabik me bazë në Jemen ndërkohë që gazetarët i bënë pyetje të shumta zëdhënësit të Presidentit Obama në lidhje me kohëzgjatjen e mbylljes së disa ambasadave amerikane.

Konferenca për shtyp në Shtëpinë e Bardhë u dominua nga pyetjet në lidhje me llojin dhe përmbajtjen e bisedave të përgjuara nga shërbimet amerikane të zbulimit që çuan në mbylljen e ambasadave amerikane.

Gazeta New York Times njoftoi se vendimi për mbylljen e objekteve diplomatike rezultoi nga përgjimi i komunikimeve elektronike në mes të shefit të Al-Kaidës Ayman al-Zawahri dhe Al-Kaidës në Gadishullin Arabik.

Duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, New York Times tha se përgjimet janë mbledhur dhe analizuar javën e kaluar, por nuk zbulojnë vendndodhjen e objektivave të sulmeve të mundshme. Emrat e udhëheqësve të Al-Kaidës dhe organizatave simotra fillimisht nuk u përfshinë në një raport të mëhershëm të gazetës New York Times me kërkesën e zyrtarëve të lartë të zbulimit.

Shtetet e Bashkuara dje rihapën disa nga misionet e saj diplomatike në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, si dhe në Afganistan e Bangladesh. Por 19 ambasada dhe konsullata mbeten të mbyllura për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney nuk diskutoi hollësitë e informacionit të shërbimeve të zbulimit. Ai tha se vazhdimi i mbylljes së disa ambasadave nuk është rezultat i zbulimit të informacioneve të reja.

Zoti Carney nuk pranoi të jepte hollësi mbi atë që u diskutua në takimin e presidentit Obama me Presidentin e Jemenit Abd Rabuh Mansur Hadi në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, përveç diskutimeve të përgjithshme mbi çështjen e luftimit të terrorizmit.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj kështu, kur u pyet mbi lidhjen në mes të mbylljes së ambasadëve dhe luftës kundër Al-Kaidës dhe bashkëpunëtorëve të saj.

"Çdo vlerësim i veprimeve që kemi ndërmarrë në luftën kundër Al-Kaidës dhe organizatave që lidhen me të gjatë viteve të fundit demonstron fokusin intensiv të administratës në luftën kundër Al-Kaidës dhe përpjekjet për të shkatërruar aftësitë e Al-Kaidës dhe të gjitha organizatave të saj simotra."

Pas bisedimeve të presidentit Obama me udhëheqësin jemenas javën e kaluar, në një deklaratë të përbashkët thuhej se ata diskutuan një "gamë të gjërë përpjekjesh" për t'iu kundërvënë kërcënimit ndaj dy vendeve nga Al-Kaida.

Në një deklaratë të publikuar dje nga ambasada e Jemenit në Uashington, njoftohen emrat e siç thuhet 25 "terroristëve më të kërkuar" të cilët po planifikojnë kryerjen e operacioneve në Sana'a dhe kundër qeverisë së Jemenit.

Në deklaratë thuhet se qeveria e Jemenit ka ndërmarrë "të gjitha masat e nevojshme" për të siguruar objektet diplomatike, objektet e rëndësishme dhe asetet strategjike. "

Në konferencën e djeshme për shtyp zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kanë informata të mjaftueshme për të parandaluar një komplot të mundshëm.

Ai vetëm tha se kërcënimi është "madh dhe vazhdues", dhe se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbledhin informacione me partnerët dhe aleatët për të luftuar kërcënimet e paraqitura nga organizatat terroriste.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG