Lidhje

SHBA, sulme të reja kundër ISIS në Siri


Një koalicion i udhëhequr nga SHBA ndërmori për të dytën ditë sulme ajrore në Siri kundër Shtetit Islamik.

Zëdhënësi i Pentagonit, nënadmirali John Kirby tha se objektivi i fushatës së sotme ishte një zonë e përdorur nga militantët për të lëvizur pajisje ushtarake përtej kufirit, në Irak.

Zoti Kirby tha në televizionin amerikan se SHBA goditën gjithashtu objektiva të Shtetit Islamik në Irak, pranë qytetit kurd të Irbilit dhe kryeqytetit, Bagdad.

Fushata e sotme pason goditjet e para në territorin sirian të ndërmarra dje nga Uashingtoni dhe pesë aleatë arabë.

Zoti Kirby tha se SHBA "shkaktuan atë lloj dëmi që synonin të shkaktonin" edhe me sulmet ajrore të një dite më parë.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut njofton se të martën u vranë 120 militantë që i përkisnin Shtetit Islamik dhe al-Kaidës.

Goditjet e para në Siri përfshinin ndihmë nga Bahreini, Arabia Saudite, Jordania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Forcat siriane kanë kryer sulmet e tyre ajrore kundër militantëve dhe luftëtarëve të opozitës gjatë gjithë luftës civile tre-vjeçare të vendit.

Shtetet e Bashkuara thanë dje se i filluan sulmet kundër Shtetit Islamik në Siri për shkak se qeveria siriane nuk është në gjendje dhe nuk ka vullnetin për të penguar militantët të ngrenë atje strehë të sigurta.

Ambasadorja e SHBA në OKB, Samantha Power, shkruan në një letër për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun se Shteti Islamik ka përdorur strehë të sigurta brenda Sirisë për t'u trajnuar e financuar si dhe për të ndëmarrë sulme kundër popullit irakian.

Ajo shkruan se Karta e OKB-së u kërkon vendeve anëtare të mos lejojnë veprime të tilla në territorin e tyre. Ajo tha se Siria nuk është e gatshme ose është e paaftë për ta bërë këtë.

Presidenti Barack Obama tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë strehë të sigurta për terroristët që kërcënojnë amerikanët.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha se SHBA nuk kanë kërkuar leje nga Presidenti sirian Bashar al-Asad për sulme ajrore, por kishin njoftuar përfaqësuesin sirian në OKB se do të ndërmerreshin veprime.

XS
SM
MD
LG