Lidhje

SHBA shton masat e sigurisë


Zyrtarët amerikanë njoftojnë se kanë shtuar masat e sigurisë në përgjigje të sulmeve të sotme në Bruksel. Ambasada amerikane në kryeqytetin belg rekomandoi që amerikanët të mos kryejnë lëvizje dhe të shmangin transportin publik në qytet. Përmes një deklarate ambasada shprehet se shtetasit amerikanë duhet të monitorojnë njoftimet e shtypit, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të marrin masat e nevojshme për të të qenë të sigurtë.

Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare tha se po i ndjek me kujdes zhvillimet në Bruksel dhe se “nuk do të hezitojë për të marrë masat e nevojshme për të mbrojtur popullin amerikan”. Agjencia i bëri thirrje publikut të njoftojë menjëherë autoriteteve për çdo aktivitet të dyshimtë, kudo që të ndodhen.

Shtëpia e Bardhë tha se SHBA janë në kontakt me zyrtarët belgë rreth shpërthimeve në aeroport dhe në sistemin e metrosë së Brukselit. Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili foli me telefon nga Kuba me ministrin e jashtëm belg, tha në një deklaratë se SHBA janë duke punuar për të mësuar mbi gjendjen e të gjithë shtetasve amerikanë në Bruksel.

Departamenti i Shtetit tha se ishte duke sqaruar njoftimet se të paktën tre amerikanët mund të jenë plagosur në sulme, por shtoi se këto njoftime ishin ende të pakonfirmuara.

Autoritetet në Nju Jork dhe Washington i fuqizuan masat e sigurisë pas sulmeve të Brukselit.

Policia e Nju Jorkut tha se ka dërguar forca shtesë policore nëpër vendet me më shumë grumbullime njerëzish dhe në pikat e transportit.

Edhe në Washington, sistemi rajonal i metrosë ka dërguar trupa policore shtesë për të kryer kontrolle sigurie, si masë parandaluese.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG