Lidhje

SHBA shqyrton goditjen ushtarake në Siri


Presidenti Barak Obama, i cili është duke shqyrtuar mundësinë e një goditje ushtarake ndaj Sirisë, për shkak të përdorimit të mundshëm të armëve kimike kundër rebelëve javën e kaluar nga ky vend, duhet të marrë në konsideratë edhe faktorë të rëndësishëm ligjorë.

Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, Presidenti është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por është Kongresi ai që ka fuqinë të shpallë luftë dhe të miratojë fondet për të.

Përveç kësaj, një ligj 40-vjeçar lidhur me autoritetin për shpalljen e luftës, kërkon që Presidenti të njoftojë Kongresin brenda 48-orësh për kryerjen e ndërhyrjes së armatosur dhe forcat e armatosura nuk mund të qëndrojnë në luftë për më tepër se 60 ditë, pa miratimin e ligjvënësve.

Që nga miratimi i saj, rezoluta mbi autoritetin e luftës, ka qenë çështje e debatueshme ligjore mes Presidentit dhe Kongresit. Udhëheqësit amerikanë disa herë kanë autorizuar ndërhyrjen ushtarake jashtë vendit pasi janë konsultuar me udhëheqës të Kongresit, por shpesh pa marrë një miratim të veçantë përmes votës në Kongres.

Dy vjet më parë, Presidenti Obama urdhëroi pjesëmarrjen amerikane në bombardimin e Libisë për të mbështetur një rezolutë të OKB-së, por nuk mori miratimin e Kongresit.
Pa një rezolutë të OKB-së mbi ndërhyrjen në Siri, Shtetet e Bashkuara duhet të mbështeten tek aleatët si Britani, apo Franca, në se vendosin për të vepruar.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit thotë se zoti Obama “po studjon faktet për të marrë një vendim të mirë-informuar lidhur me qëndrimin e përgjegjshëm që duhet të ndiqet në të ardhmen”.
XS
SM
MD
LG