Lidhje

SHBA, thirrje për hetime të OKB në Siri


Administrata e Presidentit Obama u ka kërkuar Kombeve të Bashkuara të zhvillojnë hetime lidhur me akuzat se qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër civilëve. Zyrtarët amerikanë po kërkojnë edhe zhvillimin e një debati në Këshillin e Sigurimit lidhur me këtë çështje:

Pak para një takimi urgjent të Këshillit të Sigurimit dje, Shtëpia e Bardhë tha se administrata amerikane është shumë e shqetësuar lidhur me një raport se janë përdorur armë kimike.

Aktivistë të opozitës thanë se qeveria e Presidentit al-Assad ka përdorur gaz toksik në një sulm që la të vrarë të paktën 100 vetë. Qeveria siriane i ka hedhur poshtë akuzat.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta konfirmonin raportin. Për këtë arsye, shtoi ai, është edhe më e rëndësishme që qeveria e Asadit të lejojë inspektorë të OKB-së që të kontrollojnë vendet ku thuhet se u zhvilluan sulmet.

"Një ekip hetuesish është në Siri aktualisht dhe shpresojmë që regjimi i Asadit do të përmbushë atë që ka premtuar më parë, se ata duan një proces të besueshëm hetimor që nxjerr të vërtetën në dritë lidhur me armët kimike që mund të jenë përdorur. Eshtë koha që regjimi i Asadit të veprojë në përputhje me angazhimet e tyre në këtë drejtim”.

Zoti Earnest hodhi poshtë aludimin e një gazetari se presioni ndërkombëtar nuk po jep rezultat tek qeveria e Asadit, por ai pohoi se ky presion nuk e ka ndalur dhunën.

"Kemi parë prova dhe shenja se regjimi i Asadit po e ndjen presionin, por e vërteta është se nuk ka dhënë rezultatin që do të kishim dashur të shihnim – largimin e Asadit nga pushteti”.

Steven Heydemann, këshilltar i lartë për Lindjen e Mesme në Institutin amerikan të Paqes thotë se nëse ka pasur vërtet një sulm të tillë, qeveria siriane nuk do t’ia dijë për kritikat ndërkombëtare:

"Nëse këto armë janë përdorur, kjo na tregon se regjimi i Asadit nuk do t’ia dijë për praninë e ekipit të OKB-së apo për reagimin negative botëror ndaj përdorimit të këtyre armëve. Ky regjim është i vendosur të përdorë armë të tilla, megjithëse e di që do të shkaktojë kritika të forta në shkallë ndërkombëtare”.

Shtëpia e Bardhë nuk ka njoftuar nisma të reja pas njoftimeve se mund të jenë përdorur armë kimike në Siri. Zoti Heydemann thotë se nuk pret ndryshime të menjëhershme në politikat e administratës Obama:

"Duket se Shtëpia e Bardhë nuk është e përgatitur ta shohë këtë incident si moment për ndryshimin e politikave ndaj Sirisë, të paktën jo për momentin”.

Presidenti Barack Obama njoftoi më herët këtë vit se ka në plan të furnizojë me armë grupet opozitare siriane. Shqetësimet në Kongres se këto armë mund të bien në duart e grupeve armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, kanë shkaktuar vonesa në dërgimin e armatimeve.
XS
SM
MD
LG