Lidhje

SHBA shqyrton alternativat për Sirinë


Nënpresidenti amerikan Joe Biden dje tha se nuk ka asnjë dyshim se regjimi i presidentit sirian Bashar al-Asad ka kryer sulmin e javës së kaluar me armë kimike në Damask, dhe duhet të vihet para përgjegjësisë. Komentet e nënpresidentit Biden u bënë ndërkohë që Presidenti Barack Obama vazhdon të shqyrtojë opsionet për një reagim ndaj kësaj situate me aleatët kryesorë.

Në mes të përgatitjeve për sulme ushtarake në Siri, nënpresidenti Joe Biden filloi një fjalim në konventën kombëtare të Legjionit Amerikan në Teksas me fjalë të forta për qeverinë e Asadit.

Ai tha se nuk ka asnjë dyshim se janë shkelur ligjet ndërkombëtare, dhe nuk ka dyshim se regjimi sirian është përgjegjës për këto shkelje. Nënpresidenti Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj janë të vendosur të nxjerrin para përgjegjësisë autorët e sulmit.

"Presidenti dhe unë besojmë se ata që përdorin armë kimike kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur duhet të vihen para përgjegjësisë".

Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka thënë se faktet janë të qarta, zëdhënësi i Presidentit Obama u përball me pyetje të tjera dje rreth informacionit të shërbimeve të zbulimit mbi të cilin do të bazohet përgjigja eventuale.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se një raport i shërbimeve të zbulimit në lidhje me sulmin e 21 gushtit me armë kimike në Damask do të publikohet këtë javë.

Ai tha se "një shqyrtim i kujdesshëm i fakteve" mbështet përfundimin se regjimi i Assadit është përgjegjës për sulmin, dhe se një përgjigje ndaj këtij sulmi është në interes të Shteteve të Bashkuara dhe botës.

Qeveria siriane ka mohuar përfshirjen në sulmet me armë kimike dhe ka fajësuar rebelët të cilët po luftojnë për largimin e presidentit Assad nga pushteti për sulmin pranë Damaskut si pasojë e të cilit u vranë qindra njerëz.

Presidenti Obama vazhdon të konsultohet me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në lidhje me situatën në Siri. Presidenti Obama, nënpresidenti Biden dhe të tjerët në administratën amerikane kanë zhvilluar biseda telefonike me udhëheqësit botërorë mbi gjendjen në Siri.
Anthony Cordesman, analist në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, beson se synimi kryesor i një sulmi ushtarak do të kishte në shënjestër qeverinë siriane dhe qendrat ushtarake.

"Kjo do të dërgonte një mesazh të fuqishëm për parandalimin e përdorimit të armëve kimike dhe gjithashtu do të tregonte se veprimet e Shteteve të Bashkuara në përgjithësi do të forconin rebelët dhe do të dobësonin regjimin e Asadit."

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u pyet se përse një përgjigje amerikane dhe perëndimore ushtarake nuk do të vendos në shënjestër vetë presidentin Assad.

"Dua ta bëj të qartë se opsionet që jemi duke i analizuar nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit, ato janë thjeshtë një përgjigje ndaj një shkeljeje të qartë të një ligji ndërkombëtar i cili ndalon përdorimin e armëve kimike."

Shtëpia e Bardhë vazhdon të theksoj se ajo e sheh reagimin eventual ndaj sulmit me armë kimike të javës së kaluar si një çështje të ndarë nga çështja e përgjithshme e përfundimit të luftës civile në Siri.

Zëdhënësi Carney tha se për përfundimin e luftës civile duhet të gjendet një zgjidhje politike e negociuar, por ajo nuk mund të përfshijë Bashar al-Asadin.
XS
SM
MD
LG