Lidhje

SHBA, debat mbi konfliktin në Siri


Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane ka paralajmëruar se ndërhyrja në luftën civile në Siri do të kushtonte miliarda dollarë, mund të përshkallëzohet shpejt dhe mund të kthehet në një përpjekje shumë të rrezikshme për Shtetet e Bashkuara.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane Martin Dempsey, i ofroi Kongresit një listë të opsioneve për ndërprerjen e konfliktit të përgjakshëm në Siri. Kjo është hera e parë që Pentagoni ka përshkruar në mënyrë të qartë mundësinë e "pasojave të padëshiruara" nga çdo veprim i hapur ushtarak nga Shtetet e Bashkuara.

Letra e gjeneralit Dempsey drejtuar senatorëve John McCain dhe Carl Levin, e publikuar dje, përshkruante opsione të hollësishme përfshirë trajnimin e forcave opozitare, sulmet ajrore dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Siri.

Letra pasoi një shkëmbim të nxehtë në një seancë dëgjimore javën e kaluar në kongres në mes të gjeneralit Dempsey dhe senatorit John McCain, mbështetës kryesor i ndërhyrjes në Siri. Gjatë kësaj seance dëgjimore, gjenerali Dempsey dëshmoi për arsyet se pse Shtetet e Bashkuara nuk po bëjnë në shumë për të ndihmuar rebelët e opozitës që po luftojnë për largimin e presidentit sirian Bashar al-Asad.

Steven Heydemann, analist i Institutit Amerikan të Paqes me bazë në Uashington, thotë se letra e gjeneralit Dempsey përshkruan skenarin më të keq dhe nuk është fjala e fundit në këtë çështje.

"Ai mendon se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë vetëm nëse i zgjedhin këto opsione. Ai argumenton se për realizimin e secilit opsion është i nevojshëm një angazhim masiv i forcave amerikane, kur mund të ketë raste të përmendura nga ai që mund të realizohen me nivele të ndryshme forcash. "

Senatori McCain ka udhëhequr thirrjet në Kongres për armatosjen e rebelëve dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur forcat opozitare nga sulmet e forcave ajrore të zotit Asad.

Analisti Steven Heydemann thotë se objektivat e administratës së presidentit Obama dhe ato të përkrahësve të ndërhyrjes si senatori McCain përfshijnë detyrimin e qeverisë siriane për tu ulur në tavolinën e bisedimeve.

Por ligjvënësi Trey Radel, i cili është sponsorizues i një amendamenti mbi Sirinë në projekt-ligjin për buxhetin e mbrojtjes që po debatohet në Dhomën e Përfaqësuesve, shprehu kundërshtimin e fortë ndaj përfshirjes së drejtpërdrejtë të trupave tokësore amerikane në konflikt.

"Thjesht dua ta them përsëri se Kongresi vendos mbi dërgimin e trupave amerikane në terren, në këtë rast në Siri. Dhe unë nuk e mbështes dërgimin e trupave tona atje, nuk mbështes vendosjen e djemve dhe vajzave tona në situata të rrezikshme në Siri. Kjo është një luftë civile. "

Këto debate po zhvillohen ndërkohë që Shtëpia e Bardhë, e cila ka filluar lëvizjet për realizimin e një plani të kufizuar për të furnizuar kryengritësit me armë të vogla dhe lloje të tjera të armëve, ka filluar të pranojë se zoti Assad mund të vazhdojë të jetë në pushtet për një kohë të caktuar.
XS
SM
MD
LG