Lidhje

SHBA: Siria nuk mund t'i ndalë militantët


Shtetet e Bashkuara thonë se filluan sulmet ajrore mbi Shtetin Islamik në Siri për shkak se qeveria siriane nuk mund dhe nuk do të ndalojë militantët nga ngritja e bazave në vend.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Samantha Powers në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun thotë se Shteti Islamik kishte përdorur strehë të sigurta brenda Sirisë për të trajnuar, financuar dhe për të kryer sulme kundër popullit irakian.

Në letër ajo thotë se Karta e OKB-së u bën thirrje vendeve anëtare të parandalojnë veprime të tilla në territorin e tyre. Ambasadorja Powers thotë se Siria nuk është e gatshme ose nuk është e aftë ta bëjë këtë.

Presidenti Barack Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë strehë të sigurtë për terroristët që kërcënojnë amerikanët.

Zyrtarët amerikanë thonë se sulmet ajrore të së martës kundër Shtetit Islamik dhe Al-Kaidës në Siri kanë qenë "shumë të suksesshme".

Shtetet e Bashkuara koordinuan sulmet me pesë vende arabe, Bahreinin, Jordaninë, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, agjencitë amerikane të sigurisë kanë paralajmëruar organet lokale, shtetërore dhe kombëtare të zbatimin e ligjit për një kërcënim të mundshëm për shkak të sulmeve ajrore amerikane kundër Sirisë.

FBI-ja dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare të martën publikuan një buletin informativ ku thuhet se sulmet ajrore që kishin në shënjestër pozicionet e grupit Khorasan që është i lidhur me Al-Kaidën dhe Shtetin Islamik kanë prishur komplotet për sulme kundër Shteteve të Bashkuara dhe objektivave të tjera në Perëndim.

Por buletini informative paralajmëroi departamentet policore të jenë në vëzhgim për ekstremistë të mundshëm vendas që duan të hakmerren për bombardimet amerikane në Siri.

XS
SM
MD
LG