Lidhje

SHBA: Ngërçi në OKB s'do të ndalë veprimet në Siri


Shtetet e Bashkuara thonë se nuk do të lejojnë “paralizën diplomatike” në OKB që të pengojë përgjigjen ndaj sulmit me armë kimike në Siri.

Diplomatë nga pesë vendet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit filluan dje bisedimet mbi projekt-rezolutën e paraqitur nga Britania për një sulm të mundshëm ushtarak.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Marie Harf tha se Shtetet e Bashkuara nuk shohin mundësi për një zgjidhje me kompromis si rezultat i kundërshtimit të Rusisë ndaj çdo veprimi domethënës.

Zonja Harf tha se qeveria siriane nuk mund të vazhdojë të fshihet pas rusëve. Ajo tha se Uashingtoni do të konsultohet me aleatët, ndërkohë që analizon opsione të ndryshme për reagim kundër Sirisë.

Ministria e Jashtme ruse tha dje se do të ishte e parakohëshme të ndërmerreshin veprime të OKB-së kundër Damaskut para se inspektorët e armëve kimike të përfundojnë misionin e tyre në Siri.
XS
SM
MD
LG