Lidhje

SHBA: Sistem i ri për dhënien e alarmit përmes telefonëve celularë


SHBA: Sistem i ri për dhënien e alarmit përmes telefonëve celularë
SHBA: Sistem i ri për dhënien e alarmit përmes telefonëve celularë

Shtetet e Bashkuara po punojnë për një sistem të ri publik për dhënien e alarmit që do të dërgojë paralajmërime në telefonat celuarë në raste emergjencash. Njoftohet se sistemi i ri do të zbatohet së pari në Nju Jork dhe Uashington dhe do të jetë funksional në gjithë vendin nga prilli i vitit 2012.

Drejtuesit ekzekutivë të kompanive më të mëdha të telefonave celularë iu bashkuan zyrtarëve federalë dhe kryebashkiakut të Nju Jorkut Michael Bloomberg në vendin ku ishte Qendra Botërore e Tregtisë për të njoftuar të ashtuquajturin Rrjetin Personal të Alarmit të Lokalizuar ose PLAN.

“Sistemi do të trasmetojë udhëzime të sakta dhe në kohë, që njerëzit të marrin masa në se është e nevojshme, veprim i cili mund të shpëtojë jetën e shumë personave”, tha kryetari i bashkisë Bloomberg.

Paralajmërimet do të lokalizohen duke përdorur vetëm antenat lokale të telefonëve celuarë. Njoftimi mund të paralajmërojë banorët dhe vizitorët rreth afrimit të një cikloni, uragani apo një stuhie. Nëse ka një kërcënim terrorist urban, çdo person në rajon që ka telefon celular mund të paralajmërohet dhe të këshillohet mbi hapat që duhen ndjekur.

Të gjitha kompanitë e mëdha të telefonave celularë në Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në këtë sistem. Philip Humm është shef ekzekutiv i kompanisë T-Mobile.

“Ne duam të kemi minimumi dy plane për aktivizimin e pajisjeve në muajin gusht. Qëllimi ynë është të kemi në dispozicion shumicën e pajisjeve që do të hidhen në treg në vitin 2012 në gjendje funksionale për këtë plan”, thotë ai.

Sistemi do t’i japë përparësi mesazheve emergjente, duke anashkaluar thirrjet e zakonshme telefonike dhe trafikun e mesazheve me tekst. Njoftimi i planit u bë në një ballkon nga ku shihet Kuota Zero, vendi ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër ndërtesave të Qendrës Botërore të Tregtisë. Kryetari i Komisionit Federal për Komunikacionin, Julius Genachowski, tha se tragjedia i ka mësuar Amerikës nevojën e përdorimit të teknologjisë së komunikimit në kohët e krizave dhe fatkeqësive.

XS
SM
MD
LG