Lidhje

SHBA: Skadon ligji për subvencionimin e prodhimit të etanolit


SHBA: Skadon ligji për subvencionimin e prodhimit të etanolit
SHBA: Skadon ligji për subvencionimin e prodhimit të etanolit

Ndërkohë që çmimet e ushqimit janë ngritur në vitet e fundit, shumë njerëz fajësojnë për këtë shtimin e kërkesave nga industria e biokarbureve. Në Shtetet e Bashkuara, gjatë viteve të fundit, një e katërta e prodhimit të misrit përdoret për prodhimin e etanolit. Një ligj që ofronte subvencione deri në 6 miliardë dollarë për të mbështetur këtë industri skadoi në fund të vitit 2011. Përkrahësit e pritën këtë lajm me gëzim, por analistët thonë se nuk presin ndryshime të mëdha të çmimit të ushqimeve.

Hereford Energy Renewable në rajonin Panhandle të Teksasit është një nga 200 fabrikat e prodhimit të karburantit nga etanoli i misrit në mbarë vendin. Reagan Howell është drejtor i fabrikës. Para kësaj pune, ai kishte drejtuar një rafineri nafte.

“T’ju them të drejtën, para se të angazhohesha në industrinë e etanolit unë nuk i kam ndjekur çmimet e misrit.”

Por duke marrë parasysh se benzina që shitet në Shtetet e Bashkuara përmban 10 përqind etanol, kjo është një nga disa faktorët që ndikojnë në rritjen e kostos së ushqimit, thotë ekonomisti i Universitetit Purdue Wally Tyner.

“Prodhimi i etanolit shkakton rritjen e çmimeve të misrit dhe ka ndikuar edhe në rritjen e çmimeve të mallrave të tjera bujqësore, sepse ato janë të lidhura.”

Në Shtetet e Bashkuara, çmimet më të larta të mallrave bazë kanë ndihmuar në rritjen e kostos së mishit dhe qumështit për shkak se shpenzimet e ushqimit të kafshëve janë rritur më shumë.

Por kjo është ndjerë më shumë në vendet në zhvillim të cilat varen nga prodhimet e importuara ushqimore.

Vitin e kaluar, kur Kongresi përballej me një borxh të madh dhe ishte në kërkim të shkurtimeve të buxhetit, heqja e subvencionimit prej 6 miliardë dollarësh për industrinë e etanolit dukej si një nga objektivat kryesore.

“Ligji për subvencionet skadoi. Industria e etanolit është për t’u përshëndetur që nuk luftoi për ta zgjatur ligjin.”

Bob Dinneen është një prej drejtuesve të Shoqatës së Karburanteve të Përtëritshme. Ai thotë se industria e etanolit nuk u përpoq t’i vazhdonte subvencionet, pasi kjo industri tashmë është zhvilluar.

“Nuk duam të jemi të lidhur me taksapaguesit përgjithmonë, dhe unë mendoj se është gjë e mirë që kemi arritur në këtë pikë. Ne po ecim përpara.”

Por ekspertët thonë se arsyeja kryesore që industria e etanolit ka arritur në këtë pikë nuk janë subvencionet. Është një ligj i vitit 2007 i cili synonte rritjen e prodhimeve vendore të karburanteve të ripërtëritshme, duke përfshirë etanolin, që e ka ndihmuar këtë industri.

Ligji kërkon që prodhuesit e benzinës të përziejnë karburantet e ripërtëritshme në prodhimet e tyre. Menaxheri i fabrikës në Teksas Reagan Howell vuri në dukje se etanoli në thelb është i vetmi opsion.

“Ligji na detyron ne të prodhojmë etanol. Ajo është e vetmja lëndë djegëse e ripërtëritshme që tani mund të hidhet në treg.”

Prodhuesit e benzinës janë të detyruar me ligj të përdorin 50 miliardë litra etanol gjatë këtij viti. Kjo do të shfrytëzojë më shumë se një të katërtën e prodhimit të misrit në Shtetet e Bashkuara, thotë Wally Tyner.


“Nuk do të shohim një ndryshim të madh në çmimet e ushqimeve për shkak të eliminimit të subvencionit, sepse nuk ka ndryshuar standarti i politikës për karburantet e ripërtëritshme.”

Disa mbështetës të kësaj politike duan të eliminojnë standardet për karburantet e riëpërtëritshme deri sa furnizimet e misrit të jenë më të mëdha dhe të ndikohen më pak nga prodhimi i etanolit. Por duke marrë parasysh çmimet e larta të naftës, prodhuesit e benzinës ka të ngjarë të vazhdojnë ta shohin si një veprim fitimprurës prodhimin e etanolit.

Edhe pse ka më shumë faktorë tjerë që ndikojnë në çmimet e larta të ushqimeve se sa etanoli, konkurrenca në mes të karburantit dhe ushqimit ka të ngjarë të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG