Lidhje

SHBA ndryshon taktikat kundër terrorizmit


Dy goditjet ushtarake amerikane të kohëve të fundit në Somali dhe Libi, lënë të kuptosh se Afrika është fronti i ri në luftën kundër terrorizmit. Ushtria e Shteteve të Bashkuara po i ndryshon taktikat e përpjekjeve të saj kundër terrorizmit.

Avionët e telekomanduar kanë qenë një instrument kryesor në luftën që Shtetet e Bashkuara duan të kryejnë duke mos lënë shumë gjurmë, me sa më pak trupa në terren dhe me një përqendrim tek konsolidimi e aftësive të forcave afrikane.

Por goditjet në Somali dhe Libi, të dyja me pjesëmarrje të forcave speciale, tregojnë se do të duhen përpjekje të përbashkëta në atë që Presidenti Barack Obama thotë se do të jetë një fushatë e stërgjatur.

“Afrika është një nga vendet ku për shkak të mungesës së kapacitetit qeveritar në disa raste dhe sepse është më e lehtë të fshihesh në territore të gjera jo shumë të populluara, sheh që të mblidhen grupe të tilla. Dhe ne do të vazhdojmë t’i ndjekim ata”.

Deri së fundmi, goditjet me avionë pa pilot kanë qenë metoda e preferuar e Shteteve të Bashkuara për kapjen e terroristëve. Por raste si ai i Jemenit, ku banorët thonë se civilët u vranë nga një goditje e një avioni pa pilot, kanë krijuar një problem imazhi për Shtetet e Bashkuara. Zoti Obama sinjalizoi një ndryshim taktikash në një fjalim në maj.

“Përparimi që kemi arritur kudër elementëve kryesorë të al-Kaidës do ta ulë nevojën për goditje avionësh pa pilot”.

Ky ndryshim është rezultat i reagimeve të forta si jashtë edhe brenda Shteteve të Bashkuara, ku politika e avionëve të telekomanduar është vënë në shënjestër të aktivistëve.

Joseph Siegle është drejtor studimesh në Qendrën për Studime Strategjike për Afrikën në Departamentin e Mbrojtjes. Ai thotë se ndryshimi është kyç për lidhjen dhe mbrojtjen e partneriteteve në kontinent.

“Është bërë e qartë se kjo është një luftë e gjatë dhe jo vetëm një sërë misionesh. Dhe për të fituar këtë luftë të gjatë, duhet të sigurosh mbështetjen e popullsive në vendet ku po zhvillohen këto aktivitete terroriste. Dhe nuk e realizon dot një gjë të tillë nëse shkakton shumë viktima civile dhe nëse Shtetet e Bashkuara fajësohen për ngatërresa në këto vende”.

Qeveria amerikane thotë se preferon kapjen, marrjen në pyetje dhe ndjekjen penale të terroristëve, kryesisht duke përdorur forcat speciale. Por dërgimi i forcave amerikane në terren, ëdhe nëse janë të kufizuara, ka rreziqe të tjera. Sipas sondazheve, amerikanët nuk janë në favor të një lufte tjetër.

Filmi i Hollywoodit Black Hawk Down përshkruante rrëzimin e një helikopteri amerikan në Somali, para 20 vjetësh gjatë betejës së Mogadishus. Në atë incident, 18 amerikanë humbën jetën. Dhe amerikanët nuk duan përsëritjen e atij skenari.
XS
SM
MD
LG