Lidhje

Dita e Presidentëve - koment ku pasqyrohen idealet dhe institucionet amerikane

  • Zëri Amerikës

Dita e Presidentëve - koment ku pasqyrohen idealet dhe institucionet amerikane

Dita e Presidentëve - koment ku pasqyrohen idealet dhe institucionet amerikane

Sot më 21 shkurt, në Shtetet e Bashkuara është Dita e Presidentëve. Në këtë ditë amerikanët nderojnë udhëheqësit e tyre kombëtarë, duke filluar me Xhorxh Uashingtonin.

Ditëlindja e Uashingtonit, 22 shkurti, është përkujtuar jozyrtarisht që nga koha kur ai vdiq më 1799, dhe zyrtarisht u bë festë kombëtare në vitin 1885. Me kalimin e kohës, amerikanët filluan të nderojnë edhe një udhëheqës tjetër të shquar, Abraham Lincolnin, ditëlindja e të cilit është 12 shkurti. Njohja zyrtare e këtyre dy festave u bë në vitin 1971 kur u vendos që e hëna e tretë e shkurtit të jetë festë kombëtare për nder të gjithë presidentëve të vendit.

Uashingtoni u bë i famshëm sepse udhëhoqi amerikanët në fitoren e vitit 1782 në luftën për pavarësi ndaj Britanisë. Ai kishte popullaritet aq të madh sa që po të donte mund ta shpallte veten mbret të vendit. Disa nga oficerët e tij, të pakënaqur me procesin demokratik, iu lutën Uashingtonit ta bënte këtë.

“Hiqini këto mendime nga koka,” tha presidenti Uashington, dhe i qortoi ashpër ata që ia bënë këtë sugjerim. Në dhjetor 1783, Xhorxh Uashingtoni urdhëroi shpërbërjen e ushtrisë, dha dorëheqjen nga posti i komandantit të përgjithshëm të forcave të armatosura dhe doli në pension.

Në atë kohë, Amerika ishte një konfederatë e dobët e përbërë nga 13 shtete. Gjatë gjashtë viteve në vijim, amerikanët luftuan për krijimin e një kornize që do të krijonte një qeveri federale, duke i dhënë kompetenca të rëndësishme qeverive të shteteve. Shumë amerikanë nuk besonin në idenë e një qeverie kombëtare dhe i trembeshin abuzimit të pushtetit nga zyrtarët federalë, veçanërisht nga presidenti.

Në këtë kohë kritike, Uashingtoni ishte njeriu të cilin amerikanët ishin të gatshëm t’i jepnin besimin. Ai nuk kishte asnjë kundërshtar në garën për postin e presidentit të parë të Amerikës në zgjedhjet e vitit 1789.

Kur ai erdhi në pushtet, Shtetet e Bashkuara kishin një kushtetutë, por qeveria ende nuk ishte e organizuar mirë. Në momentin kur ai kishte mbaruar mandatin dhe kishte vendosur të mos kërkonte mandat tjetër, Shtetet e Bashkuara ishin njohur zyrtarisht nga fuqitë më të mëdha të botës. Uashingtoni e vuri vendin në një rrugë të mbarë financiare dhe krijoi një ushtri efikase për mbrotjen dhe zgjerimin e Amerikës drejt territoreve perëndimore.

Në Francën revolucionare, idealeve demokratike ua zunë vendin trazirat, terrorit dhe shtypja. Por në Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Xhorxh Uashingtonit, revolucioni prodhoi qeveri të qëndrueshme, demokratike dhe të ligjshme. Duke u larguar nga pushteti vullnetarisht pas mandatit katërvjeçar, Uashingtoni dha një shembull të rëndësishëm për gjithë presidentët. Ai mbikqyri gjithashtu transferimin paqësor të pushtetit nga një president i zgjedhur tek tjetri, një parim jetik ky për demokracinë dhe një shembull për njerëzit në mbarë botën.

XS
SM
MD
LG