Lidhje

SHBA, miliona vetë të bllokuar nga stuhia


Rreshje të reja dëbore mbi zonën lindore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara po e rëndojnë më tej situatën, pas akumulimit të afro 40-50 centimetra bore në pjesë të ndryshme të zonës.

Rreshjet e reja po shoqërohen edhe me shi të ngrirë, pas një dite të vështirë për punonjësit e mirëmbajtjes së rrugëve që kanë punuar pa pushim për të pastruar borën dhe për të mundësuar trafikun.

Zyrat qeveritare, shkollat dhe shumë biznese ishin të mbyllura si rezultat i stuhisë që deri tani u ka kushtuar jetën 17 vetëve dhe ka lënë mijëra të tjerë pa energji elektrike. Temperaturat pritet të ngrihen para fundjavës, por do të duhen disa ditë para se të shkrihet shtresa e borës që ka mbuluar me mijëra kilometra nga veriu në jug.

Banorët e pjesës verilindore dhe jugore të Shteteve të Bashkuara e kaluan të enjten duke pastruar makinat, trotuaret e pragjet e banesave, një ritual i përsëritur disa herë gjatë kësaj stine. Në disa zona kjo është stuhija e gjashtë dimërore për 2013-2014.

Në 20 shtete, nga Mejn në veri të vendit e deri në jug në Alabama stuhija anuloi fluturime, lëvizje të transportit publik e privat, dhe la mijëra vetë pa furnizim me energji.

"Kam jetuar në këtë zonë që nga fillimi i viteve 1980 dhe nuk mbaj mend të kemi pasur një dimër të tillë. Pa diskutim, është një stinë e pazakontë,” thotë një banor i zonës së Uashingtonit.

Zyrtarët u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet në rrugë. Të paktën 17 vdekje janë njoftuar, pjesa më e madhe nga aksidente rrugore.

Në Uashington zyrat federale u mbyllën për të tretën herë gjatë këtij dimri. Por disa turistë ishin entuziazmuar nga stuhija. Paula Moran ka ardhur nga Britania për pushime në Nju Jork:

"Kisha disa ditë pushim që duhet t’i shfrytëzoja para muajit mars. Më pëlqen shumë Amerika, prandaj thashë po vij këtu dhe nuk u zhgënjeva aspak”.

Problemet e shkaktuara nga stuhija goditën edhe autostradat kryesore të jugut. Stuhi dëbore dhe rreshje shi të ngrirë janë fenomene të rralla në pjesën jugore të Shteteve të Bashkuara, ku dimrat janë relativisht të butë. Por të enjten, për të dytën herë këtë vit, amerikanët në autostradat e jugut u ndeshëm me rrugë të bllokuara dhe aksidente të panumërta.

Si gjithmonë në kushte ekstreme moti, kjo dëborë ka ofruar mundësi të shumta për amatorët e fotografisë për të regjistruar pejsazhe spektakolare dimërore.
XS
SM
MD
LG