Lidhje

SHBA fillojnë sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri


Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se Shtetet e Bashkuara kanë filluar sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Pool i tha Zërit të Amerikës se në sulmet kundër militantëve në Siri janë angazhuar avionë luftarakë dhe anije të pajisura me raketa kruz.

Nuk është e qartë se cilat vende të tjera të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të janë angazhuar në këtë sulm.

Presidenti Barack Obama autorizoi sulmet ajrore brenda Sirisë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të zgjerojnë luftën kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik kudo që ata janë.

Zëdhënësi i Pentagonit, nënkoloneli Jeff Pool i dha hollësi Zërit të Amerikës në lidhje me sulmet e reja amerikane kundër militantëve të Shtetit Islamik.

"Unë mund të konfirmojë se ushtria amerikane dhe ushtritë e vendeve partnere po ndërmarrin veprime ushtarake kundër terroristëve të ISIL-it në Siri duke përdorur aeroplanë luftarakë dhe raketa Tomahok".

Nënkoloneli Pool nuk dha informacion të mëtejshme për shkak se operacionet kundër Shtetit Islamik në Siri janë duke vazhduar. Mediat amerikane njoftojnë se pesë vende arabe, duke përfshirë Bahreinin, Katarin dhe Arabinë Saudite, morën pjesë në sulmet kundër militantëve në Siri.

Zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar qeverinë siriane që të mos pengojë sulmet ajrore amerikane ndaj militantëve.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë goditur Shtetin Islamik në Irak, duke kryer 190 sulme ajrore kundër këtij grupi. Këto sulme kanë ndihmuar ushtrinë e Irakut dhe forcat kurde të zbrapsin ekstremistët nga popullsitë e pambrojtura dhe infrastruktura qeveritare.

Më parë këtë muaj, Presidenti Barack Obama u zotua se do t’i ndjekë

militantët kudo që ata mund të jenë, duke përfshirë Sirinë.

XS
SM
MD
LG