Lidhje

SHBA: Superkomisioni përballë sfidës së madhe

  • Michael Bowman

SHBA: Superkomisioni përballë sfidës së madhe

SHBA: Superkomisioni përballë sfidës së madhe

Në Kongresin amerikan, udhëheqësit republikanë thonë se janë gati të bëjnë lëshime në çështjen e taksave si pjesë e një marrëveshjeje të plotë për të reduktuar deficitin federal të vendit.

Shenjat e kompromisit të mundshëm vazhdojnë të shfaqen në Kongres, ku një i ashtuquajtur superkomision po punon për të shkurtuar me të paktën 1,2 trilion dollarë brenda 10 vjetësh deficitin federal. Afati për arritjen e marrëveshjes është 23 nëntori.


Në Kongresin politikisht të ndarë, pesimizmi i mëparshëm për një kompromis mbi shkurtimin e deficitit duket se i ka hapur rrugë vendosmërisë se marrëveshja mund të arrihet. Kurrsesi nuk mund të dështojmë, thotë Senatori republikan Lamar Alexander:

Kështu mendon edhe senatori demokrat, Harry Reid.

Pas këmbënguljes prej disa muajsh për shkurtime dhe vetëm shkurtime të buxhetit, republikanët thonë se i kanë dorëzuar superkomisionit një propozim që përfshin edhe të ardhurat nga taksa të reja, të kombinuara me shkurtime të thella në programe sociale që demokratët nuk dëshirojnë të preken.

Presidenti Barak Obama ka sinjalizuar gatishmërinë për të ristrukturuar programet e kushtueshme që sigurojnë të ardhura dhe kujdes shëndetësor për pensionistët. Elementët bazë të një kompromisi janë në formulim e sipër, thotë senatori Alexander.

Sen Lamar Alexander, Partia Republikane
"Republikanët kanë vënë të ardhura nga taksat në tryezë. Demokratët kanë vënë shkurtime të programeve sociale. Tani kemi nevojë për një rezultat. "

Por raporti mes shkurtimeve buxhetore dhe rritjes së taksave mbetet një pengesë. Demokratët kërkojnë që të dyja këto të bëhen barabar. Republikanët duan që përparësi të ketë shkurtimi i shpenzimeve. Ndërkohë, superkomisionit nuk i mbetet shumë kohë për kompromis.

Hari Rid, udhëheqës i shumicës në Senat
"Kongresi dhe qeveria në përgjithësi i bëjnë gjërat në minutën e fundit. Dhe minuta e fundit po afrohet me shpejtësi. "

Amerikanët e çdo moshe i kanë varur shpresat dhe shqetësimet e tyre tek ajo që pritet të arrijë Kongresi.

Trevor Shram, student
"Natyrisht, për brezin tim, e ardhmja duket mjaft e zymtë tani për shkak të faktit se të dyja palët nuk duket të jenë në gjendje për kompromis dhe për të punuar me njëra-tjetrën. Është me të vërtetë e hidhur kur shikon se ne nuk mund të bëjmë dot asgjë për këto vendime që do të ndikojë në të ardhmen time."

Frank Kajli, punonjës federal
"Çfarë mund të bëjnë ligjvënësit? Ata mund të bëjnë atë që është në interes të vendit. Ne nuk duam që këtu në Shtetet e Bashkuara të ndodhë ajo që po ndodh në Evropë."

Ligjvënësit duket se janë të vetëdijshëm për një mesazh të tillë. Ja ç’thotë udhëheqësi i republikanëve të Senatit, Miç Mekonëll:

Miç Mekonëll, Udhëheqës i republikanëve të Senatit
"Ne kemi nevojë për një rezultat. Po ashtuj edhe populli amerikan. Ai meriton një rezultat dhe unë pres që të arrijmë rezultat. "

Nëse superkomisioni nuk e arrin kompromisin deri më 23 nëntor, kjo do të shkaktonte automatikisht shkurtime në fushën e programeve shoqërore dhe të mbrojtjes kombëtare.

XS
SM
MD
LG