Lidhje

Marrëvedhëniet SHBA-Taivan dhe importi i mishit të gjedhit


Taivani vendosi të lejojë importet e mishit të gjedhit nga Amerika, që përmban një agjent kimik që kishte ngjallur debate

Pas disa muajsh mosmarrëveshjesh, Taivani vendosi të lejojë importet e mishit të gjedhit nga Amerika, që përmban raktopaminë, një agjent ushqyerje të debatueshëm. Por vendimi, i cili shkaktoi aq shumë debate sa çoi deri në bllokimin e punës së parlamentit në qershor, nuk u mor sepse taivanezët duan më shumë mish për të ngrënë. Qeveria e këtij ishulli diplomatikisht të izoluar dhe që varet nga tregtia, pret në shkëmbim favore kyçe nga Uashingtoni, aleati i saj jozyrtar më i fortë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ralph Jennings njofton nga Taipei.

Parlamenti i Taivanit ra dakord të lejojë importet e mishit të gjedhit, që përmban substancën raktopaminë, që e bën më pak të yndyrshëm mishin e gjedhit, por disa qeveri e ndalojnë atë për shkak të shqetësimeve shëndetësore. Zyrtarët amerikanë të mbështetur nga industria e mishit të gjedhit, u kishin bërë presion zyrtarëve tajvanezë për 5 vjet që të ndiqnin shembullin e Japonisë, Koresë së Jugut dhe 100 vendeve të tjera për të lejuar importet e këtij mishi që përmban ilaçin raktopaminë.
Sheila Paskman, zëdhënëse e ambasadës de fakto amerikane në Taipei, tha se vendimi thuajse përfundimtar i Taivanit eliminon një pengesë të madhe në vazhdimin e tregëtisë dypalëshe SHBA-Taivan.

“Në përgjithësi çështja e mishit të gjedhit ka qënë shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara jo vetëm për arsye të tregut të këtij mishi, por sepse ai përbën një hap shumë të rëndësishëm për të pasur tregti të lirë dhe më të hapur mes Shteteve të Bashkuara dhe Tajvanit. Që të vazhdonim bisedimet tregtare, ne na duhej të ishim të bindur se kishim të bënim me një partner të gatshëm në këtë drejtim”.

Tensionet rreth mishit të gjedhit filluan të rriteshin në vitin 2007. Para 2 vjetësh presidenti dhe parlamenti i Taivanit u angazhuan në një debat të nxehtë rreth importeve amerikane të mishit të gjedhit. Më në fund Taivani vendosi t’i pranonte ato, por Shtetet e Bashkuara kishin humbur çdo shpresë për bisedime të nivelit të lartë në bazë të Marrëveshjes për Kornizën e Tregtisë dhe Investimeve, e cila lejon të dyja palët të diskutojnë rreth marrëveshjeve tregëtare, por shpesh pa rezultat, deri sa takohen zyrtarët e lartë. Taipei ka nevojë për këto bisedime në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e Uashingtonit për aplikim në Partneritetin e Trans-Paqësorit, një bllok tregtar me 9 vende anëtare.

Shtetet e Bashkuara janë destinacioni numër i dy i eksporteve të Taivanit pas Kinës dhe Tajvani është partneri i dhjetë më i madh i Amerikës. Tajvani është gjithashtu një prej konsumatorëve më të mëdhenj të huaj të mishin të gjedhit nga Amerika, importet e të cilit kapin shifrën e rreth 128 milionë dollarëve në vit.

Tajvani po përpiqet gjithashtu që qeveria amerikane të lejojë qytetarët e tij të udhëtojnë pa viza në Amerikë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Tajvanit, Hsia Chi-chang, thotë se parashikon që politika e re e vizave të miratohet deri në fund të vitit, pas rishikimit nga ana e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare dhe që bisedimet tregtare të rifillojnë në vitin 2013.

“Çështja e mishit të gjedhit ishte një pengesë afat-gjatë dhe vendimi i parlamentit e eliminoi atë. Tani departamentet e tregtisë të të dy vendeve duhet të diskutojnë rreth rifillimit të bisedimeve tregtare. Agjenci të qeverisë amerikane po punojnë për ta përfshirë Tajvanin në programin e udhëtimit pa viza”.

Zyrtartët amerikanë thonë se pranimi i Tajvanit në këtë program nuk ka lidhje me tregtinë e mishit të gjedhit, por analistët argumentojnë se një numër kërkesash të Tajvanit janë vlerësuar gjatë 5 vjetëve të fundit në këtë kontekst. Raymond Wu, drejtori menaxhues i një firme mbi rreziqet politike në Taipei, nuk përjashton ndonjë lidhje të tërthortë mes vizave dhe mishit të gjedhit.

“Nuk mendoj se kërkesa e Tajvanit për t’u përfshirë në programin e udhëtimit pa viza është e lidhur direkt me çështjen e mishit të gjedhit, por nëse shqyrton marrëdhëniet SHBA-Tajvan në një mënyrë më të gjerë arrin në përfundimin se pa dyshim që mosmarrëveshja mbi mishin e gjidhit nuk ndihmonte në këtë drejtim”.

Partia e Progresit Demokratik në Tajvan bllokoi parlamentin në qershor rreth çështjes së mishit të gjedhit, duke kërkuar një session të posaçëm muajin e kaluar për të marrë një vendim. Udhëheqësit e opozitës kishin shprehur shqetësime shëndetsore rreth ilaçit raktopaminë dhe që prej vitit 2010, restorantet në Tajvan reklamojnë hapur se shmangin importe të mishit të gjedhit me këtë ilaç nga Shtetet e Bashkuara.
Dhe në shenjën e parë të marrëdhënieve të përmirësuara me Tajvanin, ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Jose Fernandez do të bëjë në atë vend një vizitë 3 ditore javën e ardhshme për të nxitur bashkëpunimin në tregti, investime dhe turizëm.
XS
SM
MD
LG