Lidhje

SHBA: Vendime të rëndësishme mbi taksat dhe shpenzimet

  • Michael Bowman

Meqë asnjëra parti në Kongres nuk është në gjendje të ushtrojë vullnetin e saj, ato do të presin vullnetin e elektoratit amerikan në zgjedhjet e nëntorit

Në qoftë se Kongresi amerikan nuk vepron, shumica e amerikanëve do të paguajnë më shumë taksa për qeverinë federale, e cila është e detyruar të shkurtojë shpenzimet e brendshme dhe ato të mbrojtjes. Një skenar i tillë do të ulte ndjeshëm deficitin, por mund të dëmtonte edhe ekonominë amerikane tashmë të dobët. Siç vihet në dukje në materialin e mëposhtëm, zgjedhjet e nëntorit mund të përcaktojnë kursin e vendit në të ardhmen.

Javën e kaluar, kongresi amerikan politikisht i përçarë ndërmori një hap që nuk ishte parë për një kohë të gjatë. Senati i kontrolluar nga demokratët miratoi një projektligj për të mbajtur në fuqi nivelin e taksave për amerikanët me të ardhura më pak se 250 mijë dollarë në vit.

“Dhoma e Përfaqësuesve duhet të veprojë menjëherë në mënyrë që presidenti ta nënshkruajë këtë projektligj në ligj”.
Por republikanët, të cilët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, thonë se projektligji nuk do të miratohet në këtë dhomë. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner pati një mesazh për Presidentin Barack Obama dhe demokratët në Kongres.

“Zoti President, dua t’ju them një gjë: nëse dëshiron të tregosh se mbështet pronarët e bizneseve të vogla amerikane, gjëja më e mirë që mund të bësh është të hiqni dorë nga plani juaj për ngritjen e taksave të tyre duke filluar nga një janari”.
Republikanët duan që të mbetet në fuqi shkalla e tanishme e taksave për të gjithë, duke përfshirë edhe më të pasurit, të cilët ata i cilësojnë si krijuesit e vendeve të punës të Amerikës.

“Një gjë që ne nuk kemi nevojë në kushtet e një ekonomie të dobët, është një ngritje e madhe e taksave”.

Udhëheqësi i pakicës republikane në Senat, Mitch McConnell, e përshkroi kështu agjendën e demokratëve:

“Kjo do të thotë t’u merren më shumë para atyre që i fitojnë ato në mënyrë që qeveria t’i shpërdorojë”.

Demokratët, nga ana e tyre, thonë se ngritja e taksave për më të pasurit do të bënte që të uleshin shkurtimet automatike të shpenzimeve, të cilat do të ndikonin negativisht më shumë tek amerikanët e varfër dhe ata me të ardhura të mesme. Presidenti Obama thotë se deficiti i Amerikës nuk mund të eliminohet vetëm me anë të shkurtimeve buxhetore.

“Unë nuk besoj se deficiti mund të pakësohet pa u kërkuar amerikanëve më të pasur, duke përfshirë amerikanët si unë, që të heqin dorë nga shkurtimi i taksave, nga të cilat kanë përfituar gjatë 10 vjeçarit të fundit”.

Ndërsa republikanët e portretizojnë veten si kampionë të bizneseve, të vogla e të mëdha, demokratët duan që votuesit t’i shikojnë ata si mbrojtësit e klasës së mesme në vështirësi.

“Për kë luftoni ju? A luftoni për njerëzit me të ardhura vjetore prej një miliardë dollarësh në vit? Republikanët përpiqen për këta njerëz. Apo përpiqeni për klasën e mesme, zemrën dhe shpirtin e Amerikës?”

Me që asnjëra parti nuk është në gjendje të ushtrojë vullnetin e saj, ato do të presin vullnetin e elektoratit amerikan në zgjedhjet e nëntorit, të cilat mund të sjellin ndryshimin e pushtetit në Uashington. Analisti politik John Fortier flet rreth skenareve të mundshëm:

“Nëse presidenti rizgjidhet, ai do të ketë të paktën pjesë të Kongresit me shumicë republikane, Dhoma e Përfaqësuesve e ndoshta edhe Senati. Ne do të kemi një qeveri të ndarë dhe shumë prej betejave që përjetojmë sot, si ngritja e kufirit të borxhit dhe mosmarrëveshje të tjera buxhetore do të vazhdojnë gjatë 4 vjetëve të ardhshëm”.

Nga ana tjetër, fitorja e rivalit republikan Mitt Romney mund të kapërcejë këtë bllokim në përfitim të agjendës së partisë së tij, nëse republikanët fitojnë më shumë vende në Kongres.
XS
SM
MD
LG