Lidhje

Në ndihmë të të burgosurve dhe kuajve


Të burgosurit e qendrës së punës James River në Virxhinia, mësojnë të kujdesen për ish-kuajt e garave

Burgjet amerikane kanë shumë programe që ndihmojnë të dënuarit të zhvillojnë vetëbesimin dhe aftësitë për punë, kur afatet e tyre të burgut janë të gjata. Por një prej këtyre programeve në shtetin e Virxhinias është disi i pazakontë. Në Qendrën e Punës James River, në pjesën qendrore të këtij shteti, të burgosurit mësojnë të kujdesen për ish-kuajt e garave. Kuajt ri-trajnohen për jetën e tyre të re, ndërsa të burgosurit mësojnë aftësi pune për jetën e tyre pas lirimit.

Është një shans i dytë për të gjithë të përfshirët. Fondacioni jo-fitimprurës Thoroughbred Retirement shpëton ish-kuajt e garave nga shpërfillja e mundshme, abuzimi apo therja, ndërkohë që kuajt përgatisin të burgosurit e Qendrës së Punës James River në Virginia për jetën pas burgut.

"Kur më pyetën nëse isha i interesuar në këtë program, pranova menjëherë, sepse këto krijesa janë të mrekullueshme."

Gjatë programit 6-mujor, pjesëmarrësit mësojnë në lidhje me sjelljen e kuajve, anatominë e tyre, shëndetin dhe se si të kujdesen për ta. Ata i marrin shumë përzemër kuajt e përcaktuar.

"Ky është kali im, Aksioni Sekret. Është nipi i Sekretariatit. Është një kalë i mirë. Nëse ju kujtohet, Sekretariati është kali që fitoi garën në Belmont."


"Mendoj se ky kal ka patur një jetë tipike për kuajt e garave. Mund të dallohen shenja të marrjes të steroideve me efekte anësore si ashpërsia, kafshimet, si dhe mund të vihen re gjurmët e lëna nga injeksionet."


Kuajt ushqehen dy herë në ditë, pastrohen dhe kontrollohen për dëmtime apo shqetësime shëndetësore. Ata përshtaten për t’u përdorur edhe për kalërim dhe si kuaj shokë.

Edhe pse ky program trajnimi për të burgosurit përfshin mësime në klasë, instruktori Reid McLellan thotë se përvoja e dretjpërdrejtë me kuajt është e rëndësishme.

"Koha e kaluar me kuajt në stallë është me shumë vlerë. Kuajve nuk u pëlqejnë shakatë me guxim të tepruar. Ata i dallojnë menjëherë këto veprime dhe u japin njerëzve një mësim të mirë, duke u treguar se se kjo nuk është mënyra e duhur për të qenë në harmoni me këtë kafshë të madhe, që peshon rreth gjysëm toni."

Willi është një i diplomuar i programit, dhe tani është ndihmës instruktor. Ai do të përfundojë afatin e tij të burgut në shtator dhe tashmë ka një punë që e pret.
Edhe kali i tij, Happy, po fillon një jetë të re dhe tashmë ka ndryshuar.

"Happy ishte kali i parë me të cilin jam marrë. Ai pësoi një dëmtim në fushën e garës dhe, natyrisht, ishte i ashpër. Diçka duhet të ketë ndryshuar. Kali është i dashur tashmë. I pëlqen vëmendja."

Por Happy nuk ishte i vetmi që kishte ndryshuar. Ann Tucker e Fondacionit Thoroughbred Retirement thotë se edhe Will kishte disa probleme me sjelljen në fillim.

"Will e filloi programin si një i ri shumë i pasigurt me një të shkuar të trazuar. Ai nuk dinte se çfarë donte të bënte në jetë. Tani Willi është një njeri me besim në vetvete. Ne kemi një punë të mrekullueshme për të dhe një vend ku ai mund të jetojë."

Jo vetëm që Willi ka një vend pune gati për kur të lirohet, por ai është i bindur se mund ta ndryshojë jetën e tij tërësisht.

"Nuk dua të jem kurrë sërish personi që kam qenë, apo të kthehem këtu."

Gjasat janë që Willi të mos kthehet me në burg. Ka shumë pak mundësi që kjo t’i ndodhë ndonjë prej të burgosurve që marrin pjesë në këtë program. Duket se si kuajt ashtu dhe të burgosurit janë duke marrë një shans të dytë.
XS
SM
MD
LG