Lidhje

Libiani i akuzuar për terrorizëm në Nju Jork


Zyrtarët amerikanë thonë se një libian i dyshuar për terrorizëm, i kapur në një operacion të forcave speciale amerikane në Tripoli, është sjellur në Nju Jork ku do të përballet me akuzat për terrorizëm.

Abu Anas al-Libi, i cili dyshohet se është pjesë e Al-Kaidës, u rrëmbye në një operacion të Shteteve të Bashkuara më 5 tetor dhe që atëherë u mbajt në një luftanije amerikane në Detin Mesdhe.

Prokurori i Shteteve të Bashkuara në Nju Jork, Preet Bharara tha të hënën se al-Libi tani është sjellë në qytet dhe të martën pritet të paraqitet në gjykatë.

Al-Libi, emri i plotë i të cilit është Nazih Abdul-Hamid al-Ruqai, ka qenë nën akuza federale në Nju Jork për më shumë se një dekadë. Ai është akuzuar se ka ndihmuar në planifikimin e sulmeve me bombë kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998.

I dyshuari ishte në listën e terroristëve më të kërkuar të FBI-së, por familja e tij i ka mohuar lidhjet e tij me al-Kaidën.

Zyrtarët e shërbimeve të zbulimit e kanë marrë në pyetje al-Libin gjatë kohës kur ai ishte në bordin e një luftanijeje amerikane, por nuk dihet nëse ai ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG