Lidhje

SHBA, thirrje Rusisë të respektojë marrëveshjen


Nënpresidenti amerikan Joe Biden po i bën thirrje Rusisë që të respektojë marrëveshjen e fundit për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, duke thënë se Ukraina “po lufton për të ardhmen e vet”. Në një konferencë për shtyp sot në Kiev me kryeministrin e përkohshëm ukrainas, Arseniy Yatsenyuk, zoti Biden tha se Ukraina është dhe duhet të mbetet një vend i vetëm.

Nënpresidenti amerikan Biden tha se ka ardhur koha që Rusia “t’i lërë fjalët dhe të fillojë të vërë në jetë” angazhimet e javës së kaluar gjatë bisedimeve ndërkombëtare në Gjenevë.

“Të bindë separatistët pro-rusë që të largohen nga ndërtesat (qeveritare në Ukrainën lindore) dhe postblloqet, të pranojnë amnistinë dhe t’i shtrojnë pakënaqësitë e tyre në arenën politike. Rusia duhet të bëjë thirrje hapur për çlirimin e ndërtesave të marra nën kontroll. Kjo nuk është e vështirë të bëhet”.

Zoti Biden i bëri gjithashtu thirrje Rusisë që të dërgojë zyrtarë të lartë për të bashkëpunuar me OSBE-në në lindje të Ukrainës.

Ekspertë amerikanë si profesori Keith Darden janë të të njëjtit mendim të shprehur nga nënpresidenti amerikan, se Rusia mund të bëjë më shumë për t’i dhënë fund krizës.

“Nëse do të kishte një deklaratë të fortë nga Moska që të thoshte: ‘Këta grupe duhet të çarmatosen. Duhet të largoheni nga ndërtesat qeveritare. Ne nuk ju mbështesim’, kjo do të kishte një ndikim të thellë tek faktet në terren. Por një gjë e tillë nuk po ndodh”.

Në Kiev, nënpresidenti Biden rikonfirmoi mbështetjen për Ukrainën dhe tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lënë atë “të ecë e vetme në rrugën e saj”.

Zoti Biden tha se Shtetet e Bashkuara do të japin 50 milionë dollarë shtesë për qeverinë ukrainase, përfshirë 11 milionë për të kontribuar për financimin e zgjedhjeve presidenciale të 25 majit.

Ndërkohë Ukraina dhe Rusia po fajësojnë njëra-tjetrën për prishjen e armëpushimit të Pashkës në post-bllokun në qytetin pro-rus Slavyansk, ku gjetën vdekjen tre vetë.

Departamenti i Shtetit ka nxjerrë fotografi ku thotë se duken forca speciale ruse në Ukrainën lindore dhe se i kishte siguruar fotografitë nga diplomatë ukrainas.

Rusia ka mohuar të ketë ushtarë në territorin ukrainas.
XS
SM
MD
LG