Lidhje

SHBA, thirrje për lirimin e Morsit


Administrata Obama po u bën thirrje autoriteteve egjiptiane të lirojnë ish-presidentin Mohamed Morsi. Zoti Morsi ka qenë në arrest shtëpie që kur trupat egjiptiane e hoqën nga pushteti javën e kaluar.

Siç shprehet zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki, Presidenti Morsi duhet të lirohet, në kuadër të përpjekjeve për të përfshirë të gjithë aktorët politikë në një qeveri tranzicioni, përfshirë Vëllazërinë Myslimane të zotit Morsi.

"Një demokraci e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, është një regjim ku të gjithë sektorët e shoqërisë, të gjithë egjiptianët përfaqësohen plotësisht. Ne mendojmë se këtu përfshihet edhe Vëllazëria Myslimane dhe të gjithë politikanët që janë ndaluar”.

Anëtarët e Vëllazërisë Myslimane nuk e njohin legjitimitetin e autoriteteve të përkohëshme të vendosura nga ushtria dhe kërkojnë rivendosjen e zotit Morsi në pushtet.

Zonja Psaki thotë se Shtetet e Bashkuara ende po analizojnë ngjarjet në Egjipt për të vendosur nëse rrëzimi i presidentit Morsi ishte grusht shteti. Përcaktimi është me rëndësi dhe mund të rezultojë në anulimin e mbi 1 miliard dollarë ndihmave amerikane për Egjiptin.

Zyrtarët e administratës Obama kanë shprehur prej ditësh shqetësim për ndalimet e paligjshme që pas ndërhyrjes së ushtrisë, por kjo është hera e parë që Uashingtoni kërkon lirimin e zotit Morsi.

Zonja Psaki nuk tha shprehimisht se Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë më zotin Morsi si udhëheqësin legjitim të Egjiptit, por ajo tha se zyrtarë të lartë amerikanë kanë filluar takimet me Presidentin Adli Mansur.

"Do të donim të shihnim përparim përmes një procesi gjithëpërfshirës. Megjithëse e kemi të qartë se Presidenti Morsi u zgjodh në mënyrë demokratike, siç e kam thënë më parë unë dhe zyrtarë të tjerë, me rëndësi është procesi që pason hedhjen e votës. Pjesa më e madhe e tranzicioneve demokratike kërkojnë vite për të zënë rrënjë, veçanërisht pas një regjimi autokratik që sundoi prej dekadash”.

Në përgjigje të pyetjes nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin kundër kandidimit të zotit Morsi për president në të ardhmen, zonja Psaki tha se ky vendim u takon egjiptianëve.
XS
SM
MD
LG