Lidhje

Sipërmarrëset amerikane në sektorë të dominuar nga burrat


Një grua menaxhon dyqane të suksesshme për materiale ndërtimi në zonën e Uashingtonit

Gjithnjë e më shumë gra në Shtetet e Bashkuara po hapin biznese në sektorë që tradicionalisht janë mbizotëruar nga burrat. Korrespondentja Julie Taboh foli me një grua biznesmene për të mësuar përse e mori një vendim të tillë dhe si arrin të konkurrojë me sukses me dyqanin e saj për materiale ndërtimi.

Gina Schaefer nuk e kishte menduar ndonjëherë se do të punonte në sektorin e materialeve të ndërtimit. Por ajo thotë se rrethana të papritura në familje u bënë shkak për këtë vendim:

“Unë dhe burri kishim blerë një apartament që kërkonte riparime dhe nuk kishim dyqan të specializuar në lagje. Në atë kohë prisja që të shkurtohej vendi im i punës, prandaj vendosa të hap vetë një dyqan.”

Ishte viti 2003. Tani ajo është pronare e nëntë dyqaneve të suksesshme për materiale ndërtimi në zonën e Uashingtonit, që u shërbejnë 1 mijë e 200 klientëve në ditë.

Por që të hapësh një biznes në një sektor të dominuar nga burrat nuk është e lehtë:

“Tani qeshim kur na kujtohen disa burra që vinin në dyqan për të kërkuar një artikull të caktuar dhe pyesnin “A mund të bisedoj me ndonjë burrë këtu se kam pyetje për një hidraulik,” “Ku është pronari i dyqanit?” thotë Schaefer.

Me kalimin e kohës këto probleme u sheshuan:

“Ka plot blerës që vijnë – burra e gra – të cilët kurrë nuk kanë parë si rregullohet tualeti, kërkojnë këshilla. Nëse arrin t’u shpjegosh dhe t’u japësh besim tek vetja, nuk duan t’ia dinë nëse je burrë apo grua”.

Gina Schaefer thotë se suksesi i saj u arrit falë një numër faktorësh. Dyqani i saj është i lidhur me kompaninë Ace Hardware, një biznes 90 vjeçar që punon me biznesmenë të pavarur amerikë për t’u dhënë dyqaneve të tyre kredibilitet:

“Ace na jep fuqinë blerëse si dhe një numër shërbimesh të tjera, qoftë me trajnim, organizimin e dyqanit dhe planifikimin financiar”.

Fuqia blerëse i jep Gina-s mundësinë të shesë me çmime konkurrente një numër artikujsh, nga pajisjet për lyerje e deri tek llambat. Ajo është mirënjohëse edhe për punonjësit e saj, për të cilët thotë se marrin rroga mbi pagën mesatare dhe përfitime të tjera punësimi.

“Vendosëm t’i bëjmë dyqanet tona një vend të preferuar për të punuar. Donim që njerëzit të ishin në gjendje të rrisnin fëmijë gjatë kohës që ishin të punësuar këtu. Donim që t’u pëlqente të vinin në punë, sepse punëdhënësi e vlerësonte kontributin e tyre”.

Christina Amaya ka gjashtë vjet që punon për këtë kompani:

“Më pëlqen ky biznes. Më respektojnë, janë të kujdesshëm për çdo nevojë timen si individ, pra nuk na shohin thjesht si punonjës. Më pëlqen shumë pasi ndjehem e rëndësishme”.

Kur ka punonjës të kënaqur ka edhe klientë të kënaqur:

“Mendoj se e frekuentoj këtë dyqan më së shumti si rezultat i vëmendjes ndaj klientit. Këto artikuj mund t’i gjesh edhe në dyqane të tjera, por nuk e gjen këtë shërbim,” thotë një blerës.

Gina Schaefer shpreson të hapë dyqane të tjera, ndërkohë që shtohet kërkesa për dyqane për materiale ndërtimi në zona urbane.

XS
SM
MD
LG