Lidhje

Skandali i korrupsionit dhe marrëdhëniet Turqi-SHBA


Thellimi i skandalit të korrupsionit në Turqi është duke tendosur marrëdhëniet e vendit me Shtetet e Bashkuara. Qeveria turke pretendon se hetimi për korrupsion është një konspiracion ndërkombëtar dhe sugjeron se edhe Uashingtoni është i përfshirë, ndërsa mediat pro- qeveritare po fajësojnë ambasadorin amerikan dhe po bëjnë thirrje për dëbimin e tij nga vendi.

Që nga fillimi i hetimeve të prokurorëve mbi dyshimet për korrupsion në nivelet e larta qeveritare muajin e kaluar, Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka këmbëngulur se ato janë pjesë e një komploti ndërkombëtar. Madje mediat pro- qeveritare kanë bërë thirrje për dëbimin e ambasadorit amerikan Francis Ricciardone, duke e akuzuar atë për përfshirje në hetimet për korrupsion, pa dhënë hollësi të mëtejshme. Analistët vënë në dukje se qeveria ka bërë pak për t’u distancuar nga thirrjet për dëbimin e ambasadorit amerikan.

Analisti i çështjeve politike, Cengiz Aktar i Forumit të Stambollit mbi Politikat thotë se kjo gjuhë ka vështirësuar marrëdhëniet mes aleatëve të ngushtë.

"Shtetet e Bashkuara janë shumë të pakënaqura me kritikat anti- amerikane që po përhapen në këtë vend. Ankaraja po hedh kritika në drejtim të pothuaj mbarë botës për atë që po ndodh në vend, duke akuzuar lobistët izraelitë dhe lobistët e vendeve të tjera."

Qeveria po akuzon klerikun Islamik Fethullah Gylen, dikur një aleat i ngushtë i saj, që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, për organizimin e hetimeve për korrupsion. Lëvizja e tij, e njohur si Cemaat, dyshohet se ka shumë simpatizantë që punojnë në sistemin gjyqësor në Turqi.

Kadri Gursel, gazetar që mbulon çështjet diplomatike për gazetën turke Milliyet dhe faqen e internetit të Al - Monitor, pohon se dyshimet e Ankarasë ndaj Uashingtonit janë duke u ushqyer nga dallimet ekzistuese në fushën e politikës së jashtme mes dy vendeve.

"Nëse politikëbërësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, nuk do të kishin dallime me administratën e presuidentit Obama, duke filluar me Egjiptin, Izraelin, Sirinë dhe Irakun, njerëzit e lëvizjes Cemaat nuk do të lejoheshin të sulmonin qeverinë turke siç po bëjnë tani. Qendra e lëvizjes është në Shtetet e Bashkuara e jo në Turqi."

Ankaraja e ka kritikuar Uashingtonin për mos kundërshtimin e rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi nga ushtria egjiptiane. Mohamed Morsi është një aleat i ngushtë i kryeministrit Erdogan.

Analistët vënë në dukje se, duke pasur parasysh kufijtë e saj të përbashkët me vende si Irani, Iraku dhe Siria, Turqia është përpjekur gjithmonë të shfrytëzojë pozitën e saj strategjike në marrëdhëniet e saj me Uashingtonin. Por Sinan Ulgen, një studiues në Qendrën Carnegie në Bruksel, thotë se rëndësia e Ankarasë për Uashingtonin ndoshta është në rënie.

"Krahasuar me vitet e kaluara, Shtetet e Bashkuara janë më të gatshme të tërhiqen nga Iraku dhe Siria prandaj edhe ndikimi turk mbi Shtetet e Bashkuara është duke rënë. Mendoj se kjo është një llogaritje që politikëbërësit turq janë duke e kuptuar më mirë."

Por duke marrë parasysh se qeveria turke është ende duke u ballafaquar me akuzat për korrupsion, ka pak arsye të besohet se retorika e saj rreth komploteve ndërkombëtare do të përfundojë së shpejti. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel pritet të vizitojë Turqinë në fund të janarit. Synimi i Ankarasë për të blerë raketa kineze, pritet të jetë në axhendën e takimeve dypalëshe dhe mund të jetë një tjetër pikë tensioni midis dy aleatëve.

Analistët theksojnë se duke marrë parasysh hyrjen e partisë AK në një cikël 18 -mujor zgjedhjesh, qëndrimet e ashpëra ndaj Uashingtonit zakonisht priten mirë nga përkrahësit e saj konservatorë në rajonet rurale dhe për këtë arsye ato mund të vazhdojnë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG