Lidhje

Ridislokimi i forcave amerikane në Azi


An Afghan soldier is seen in a guard tower at a military base as civilians gather outside in Panjwai. (AP)
An Afghan soldier is seen in a guard tower at a military base as civilians gather outside in Panjwai. (AP)
Ndërsa Shtetet e Bashkuara intensifikojnë përpjekjet për të shtuar numrin e aleatëve ushtarakë në Azi, Uashingtoni po nxjerr më shumë hollësi rreth planeve për të ridislokuar forcat në rajon dhe për të përforcuar lidhjet me vendet aleate. Analistët thonë se përpjekjet e ribalancimit, siç quhen nga Pentagoni, do të jenë edhe një veprim balancimi. William Ide i Zërit të Amerikës njofton nga Uashingtoni se ndërsa disa njerëz mirëpresin vendimin për të shtuar vemendjen në Azi, ky vendim ka shkaktuar shqetësime në rritje nga disa vende të tjera, përfshirë Kinën, një prej fuqive ushtarake në rritje të rajonit.

Disa analistë e shikojnë vendimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Azisë si pjesë e përpjekjeve afat-gjatë të Uashingtonit për të forcuar dhe rritur lidhjet ekzistuese dhe ato të reja në rajon. Por të tjerë thonë se ky vendim është pjesë e përpjekjeve më të gjera për t’iu kundërvënë fuqisë ushtarake në rritje të Kinës.

Wu Shicun, president i Institutit Kombëtar për Studimet e Detit të Kinës Jugore, thotë se megjithëse zyrtarët ushtarakë amerikane dhe zyrtarë të tjerë kanë siguruar se kjo politikë nuk ka lidhje me Kinën, ai nuk është i këtij mendimi.

“Për mendimin tim, një prej qëllimeve të ndryshimit të politikës amerikane në rajonin e Azi Paqësorit është parandalimi i ndikimit në rritje të Kinës”.

Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta njoftoi planet për transferimin e 60 për qind të forcave të marines amerikane në rajonin e Paqësorit deri në vitin 2020. Ai shkoi gjithashtu në Vietnam, duke u bërë kështu zyrtari më i lartë amerikan që viziton Gjirin Cam Ranh, një pikë kryesore logjistike gjatë luftës së Vietnamit.

Vietnami dhe Filipinet kanë përjetuar rritje tensionesh me Kinën gjatë viteve të fundit lidhur me mosmarrëveshjet në Detin e Kinës Jugore. Këto dy vende do të dëshironin mbështetjen e Uashingtonit, ndërsa përpiqen t’i zgjidhin këto mosmarrëveshje me Pekinin.

Në Tailandë, vend ky me lidhje të forta si me Pekinin edhe me Uashingtonin, zyrtarët amerikanë dhe ata tailandezë po diskutojnë rreth përdorimit të bazës ajrore Utapao si një qendër e përhershme për ndihma humanitare dhe në raste katastrofash.
Abraham Denmark, analist i sigurisë rajonale në Zyrën Kombëtare të Kërkimeve Aziatike, thotë se këto masa janë më të rejat në një seri përpjekjesh për të ruajtur praninë amerikane në rajon.

“Ribalancimi ka të bëjë me njohjen e faktit se pjesa më e madhe e historisë që do të shkruhet rreth shekullit të 21 do të bazohet në rajonin e Azi-Paqësorit. Dhe për arsye të faktit se ne jemi fuqi e Paqësorit, duam të sigurohemi se kemi aftësitë për të ridislokuar forcat tona dhe për të ruajtur ndikimin tonë në rajon”.

Catharin Dalpino, eksperte e Azisë juglindore në Fakultetin e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universaitetin Johns Hopkins, thotë se në Tailandë përpjekjet kanë të bëjnë më shumë me forcimin e aleancave që shtojnë mundësitë për ridislokim forcash. Ndryshimi më i gjerë i politikës ndaj Azisë, thekson ajo, ka hedhur dritë tek një aspekt i pranishëm për vite me radhë në Tailandë dhe në gjithë rajonin.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për shtimin e mundësive për ridislokimin e forcave, por edhe rreth gjetjes së interesave të përbashkëta dhe nevojave, që do të mundësonin vazhdimin e aleancës gjatë këtij shekulli”.

Por gjetja e interesave të përbashkëta nuk është gjithnjë e thjeshtë. Javën e kaluar, agjencia amerikane e hapësirës NASA anuloi planet për operimin e aeroplanëve survejues për ndryshimet klimatike nga baza ajrore Utapao në Tailandë. Projekti nxiti një debat politik në atë vend, pjesërisht sepse kjo bazë u përdor nga Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së Vietnamit.

Kur presidenti i Filipineve, Benigno Aquino vizitoi Uashingtonin muajin e kaluar për bisedime rreth shtimit të mbështetjes amerikane, një protestë shpërtheu para ambasadës amerikane në Manila. Demonstruesit shprehën shqetësim rreth planeve për shtimin e manovrave të përbashkëta ushtarake dhe pranisë së trupave amerikane në Filipine.

Por analisti Abraham Denmark thotë Shtetet e Bashkuara e shikojnë rolin e tyre në Azi, veçanërisht në Azinë juglindore, ndryshe nga e kaluara kur kishin baza ushtarake në Filipine, Tailandë dhe në Vietnam.

“Prania amerikane nuk do të jetë si gjatë luftës së ftohtë, apo gjatë luftës së Vietnamit, por një prani e re më e vogël, më e manovrueshme, politikisht e përballueshme për partnerët dhe aleatët tanë”.

Kina i quan ndryshimet e politikës amerikane në Azi dhe përpjekjet e Uashingtonit për të forcuar aleancat ushtarake si “të parakohshme”. Madje Pekini u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që të respektojnë interesat e tij në rajon.
XS
SM
MD
LG