Lidhje

SHBA: Vazhdojnë debatet rreth çështjes së mbajtjes së armëve


SHBA: Vazhdojnë debatet rreth çështjes së mbajtjes së armëve
SHBA: Vazhdojnë debatet rreth çështjes së mbajtjes së armëve

Vendimi i kohëve të fundit i Gjykatës së Lartë Amerikane lidhur me të drejtën për mbajtje armësh, ka ngjallur debate publike dhe ligjore. Gjykata ishte e mendimit se e drejta kushtetuese për armëmbajtje është e vlefshme për mbarë Shtetet e Bashkuara, duke iu kundërpërgjigjur shtetit të Illinoit që kishte ndaluar mbajtjen e armëve në territorin e vet. Megjithatë, gjykata theksoi se vendimi kufizon, por nuk e mohon, të drejtën e shteteve për të gjetur mënyra tjera për zgjidhjen e problemeve shoqërore që, sipas fjalëve të vendimit, “u përshtaten vlerave vendore”. Përkrahësit e të drejtës për armëmbajtje dhe ata që mbështesin kufizime për armët e zjarrit janë zotuar se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre.

Ndërsa ligjet amerikane për armëmbajtjen po ndryshojnë, diskutimet rreth sigurisë në vendbanime të prekura nga krimi po vazhdojnë.

Vendimi i Gjykatës shfuqizoi ndalimin prej 28 vjetësh të armëve në qytetin e Çikagos. Ligjvënësit e bashkisë, ndërkaq—të sfiduar nga incidentet me armë që kanë kapluar qytetin—miratuan ligje të reja për të kontrolluar përdorimin, shitjen dhe transportin e armëve të zjarrit.

Djali i Anetë Holtit u vra brenda në një autobus. Ajo ka frikë se armët do të përkeqësojnë gjendjen.

Vendimi i Gjykatës së Lartë thotë se e drejta për të mbajtur armë për vetëmbrojtje është e drejtë themelore—sipas amendamentit të dytë të Kushtetutës Amerikane—dhe kjo vlen për të gjitha shtetet dhe juridiksionet vendore. Mirëpo, kryebashkiaku i Çikagos Riçard Dejlli po i kundërvihet vendimit të gjykatës, duke përkrahur vendosjen e kufizimeve të reja për armëmbajtje, të cilat janë në përputhje me të drejtën kushtetuese.

“Ne jemi vend ku sundon ligji dhe s’bëhemi kurrë vend ku sundojnë armët,” thotë zoti Dejlli.

Vendimi i Gjykatës së Lartë ishte i mirëpritur për këta pronarë armësh në shtetin e Virxhinias. Ata u mblodhën në këtë lokal në afërsi të qytetit të Uashingtonit për të kremtuar një fitore tjetër. Duke i dhënë fund ndalimit 15-vjeçar, një ligj i ri shtetëror i lejon armëmbajtësit me leje të hyjnë në restorante ku shërbehet alkool edhe kur armën e kanë të fshehur, por me kusht që të mos konsumojnë pije alkoolike. Filip Van Kliv është kryetar i një shoqate për të drejtën për armëmbajtje në Virxhinia.

“Janë rreth çerek milion njerëz vetëm në Virxhinia që kanë leje të mbajnë armët fshehur dhe kështu ata do të mund të zgjedhin kur dalin për të ngrënë. Mund t’i bartin armët haptas nëse duan, por mund edhe t’i fshehin ato nëse duan.”

Zoti Van Kliv thotë se grupi i tij do të vazhdojë përpjekjet për të shfuqizuar ligjet tjera që kufizojnë mbajtjen e armëve, siç është kushti që parandalon blerjen e më shumë se një arme brenda 30 ditëve në shtetin e Virxhinias. Ai thotë se shfuqizimi i ndalimit të armëve në qytete si Çikago dhe Uashingtoni do të sjellë pakësimin e kufizimeve për pronarët e armëve në vende tjera.

“Nëse bashkitë ose shtetet vendosin se do të rregullojnë çështjen e armëve, atëherë duhet të zgjedhin një sistem të paanshëm ku çdo qytetar që respekton ligjin dhe që nuk është kriminel të mund të pajiset me lehtësi me leje për të bartur armë fshehurazi.”

Përkrahësit e kufizimeve për armëmbajtje janë të vetëdijshëm se grupet e të drejtave për armë do të vazhdojnë të sfidojnë ligjshmërinë e kufizimeve, por mbeten optimistë se shumica e ligjeve për këtë çështje do të ngelin në fuqi.

XS
SM
MD
LG