Lidhje

SHBA: Vepra të çmuara arti u kthehen pronarëve të tyre të ligjshëm


Zyrtarë amerikanë i kthyen disa vepra arti të çmuara pronarëve të tyre të ligjshëm. Sekretarja e Sigurimit Kombëtar Janet Napolitano i dorëzoi Ambasadorit italian këtu në Uashington shtatë vepra kulturore antike.

Një pikturë që paraqet Zeusin në formën e një mjelme, duke joshur një grua, është një vepër e rrallë vaji mbi bakër, e pikturuar nga artisti i shekullit të 16-të Lelio Orsi. Piktura ishte shitur në një ankand në Nju Jork për 1 milion e 600 mijë dollarë.

Por piktura Leda dhe Mjelma ishte futur në SHBA me dokumente doganore të rreme. Këtë javë në ambasadën e Italisë në Uashington, piktura e rilindjes italiane e Orsit iu rikthye popullit italian.

Karabinieria italiane informoi agjentët amerikanë të doganave lidhur edhe me gjashtë vepra të tjera antike, të cilat gjithashtu iu rikthyen Italisë. Ato përfshijnë një skulpturë mermeri me dy fytyra e shekullit të parë, disa faqe të hequra nga libra muzike të shekullit të 13-të dhe disa vazo qeramike rreth 2 mijë e 500 vjeçare të vjedhura nga qendra arkeologjike.

Zyrtarët e lidhin skulputurën dhe vazot me aktivitetin e një ish tregëtari të veprave antike, i akuzuar për organizim të një trafiku ndërkombëtar të paligjshëm. Faqet e librave muzikorë u gjetën në një faqe interneti për libra të rrallë me qendër në shtetin e Oregonit.

Karabinierët italianë do t’i shoqërojnë këto vepra brenda 10 ditëve për në Itali. Ata do të fluturojnë me aeroplanin e tyre të posaçëm për veprat e artit. Artifaktet do t'u kthehen komuniteteve italiane për t'u ekspozuar në muzeumet ku gjendeshin më parë.

XS
SM
MD
LG