Lidhje

SHBA: Rezultati i zgjedhjeve, prirjet e tyre në të ardhmen


Rezultatet e zgjedhjeve të së martës nga dy gara për guvernator shtetesh po shikohen nga disa analistë si tregues i mundëshëm i votimit të amerikanëve në zgjedhjet për në Kongres vitin e ardhshëm. Në zgjedhjet e së martës për herë të parë votuesit shkuan në qendrat e votimit pas mbylljes së pjesëshme të qeverisë federale për 16 ditë me radhë dhe pas problemeve që shoqëruan fillimin e programit të kujdesit shëndetsor të Presidentit Barack Obama.

Fituesit entuziastë të zgjedhjeve....një guvernator i ri i Partisë Demokrate në shtetin e rëndësishëm të Virxhinias, megjithëse rezultati përfundimtar ishte shumë më i ngushtë e sa parashikimi.

Dhe një guvernator republikan u rizgjodh në Nju Xhërsi.

Dy zgjedhje të ndryshme, të ndikuara në mënyra të ndryshme nga Tea Party, krahu ultra-konservator i Partisë Republikane.

Anëtarë të grupimit Tea Party në Kongresin amerikan shkaktuan mbylljen e pjesëshme të qeverisë në përpjekje për të mos financuar programin e kujdesit shëndetësor të Presidentit Obama.

Analistët thonë se mbyllja e qeverisë dëmtoi kandidatin republikan për guvernator në Virxhinia, Ken Cuccinelli, i cili ka lidhje të ngushta me grupin Tea Party.

Megjithatë zoti Cuccinelli e ngushtoi dallimin për nga mbështetja me rivalin e tij demokrat, duke kritikuar ligjin e kujdesit shëndetsor.

“Virxhinia e kupton se ligji i kujdesit shëndetësor është një dështim. Ju duhet të jeni në kontroll të kujdesit tuaj shëndetsor dhe jo qeveria”.

Në fund të fundit, votuesit e Virxhinias zgjodhën demokratin Terry McAuliffe, i cili premtoi një bashkëpunim ndërpartiak.

“Mendoni se çfarë mund të arrijmë në Virxhinia kur ne punojmë së bashku”.

Dhe në Nju Xhërsi, një fitore e madhe për mandatin e dytë të guvernatorit republikan, Chris Christie, i cili siguroi mbështetjen edhe të demokratëve dhe pakicave.
“Roli udhëheqës ka fare pak të bëjë me fjalimet dhe shumë më tepër me dëgjimin e elektoratit. Uleme rreth një tryeze dhe dëgjojmë njeri tjetrin, duke treguar respekt.”

Analisti demokrat, Tad Devine flet rreth fitores së guvernatorit Christie.

“Ai ka qenë në gjendje të fitojë në një shtet me shumicë demokrate, ku presidenti Obama fitoi në Nju Xhërsi me 17 për qind të votave më shumë se rivali i tij në të dy zgjedhjet e fundit presidenciale. Zoti Christie fitoi me një rezultat të ngushtë mandatin e parë dhe me një shumicë dërmuese mandatin e dytë”.

Analisti republikan, Ford O’Connell thotë se politikanët republikanë të grupimit Tea Party duhet të mësojnë nga kandidatët fitimtarë, përndryshe.......

“Tea Party do të mbetet e izoluar, duke folur vetëm për bazën e vet. Problemi kryesor për grupin Tea Party është si ta shtrijë mesazhin e vet përtej bazës republikane”.

Analiatët thonë se beteja e brendshme në zgjedhjet e ardhshme për në Kongres do të zhvillohet për bazën e Partisë Republikane. A do të anojë partia nga konservatizmi ekstrem i grupimit Tea Party apo do të anojë nga elementët më të moderuar?

“Varësimisht nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, ne mund të përballemi me më shumë beteja dhe mosfunksionim ose mbyllje të qeverisë. Dhe kjo është diçka që njerëzit në mbarë botën do të ndjekin nga afër sepse Amerika ka ende ekonominë më të fuqishme në botë”.

Analisti O’Connell thotë se rezultatet e zgjedhjeve të së martës do të forcojnë pozitat e Tea Party për të vazhduar kritikat ndaj ligjit të kujdesit shëndetsor si një çështje me të cilët ata mund të fitojnë zgjedhjet në të ardhmen. Por humbja në Virxhinia mund të inkurajojë gjithashtu republikanët e moderuar për t’i balancuar këto sulme në mënyrë që të tërheqin një elektorat më të gjerë.
XS
SM
MD
LG