Lidhje

Gratë amerikane, faktor në zgjedhjet presidenciale


Rreth 55 për qind e grave amerikane zgjodhën kandidatin demokrat Barak Obama në zgjedhjet presidenciale. Gratë ishin pjesë e një koalicioni votuesish, ku përfshiheshin edhe të rinjtë dhe pakicat që patën rëndësi vendimtare në rizgjedhjen e presidentit. Shumica e grave që votuan për zotin Obama shprehen se i shikonin politikat republikane si regresiste për statusin e gruas:

Elisabeth Kingsbury është avokate në Uashington. Ajo është shkëputur përkohësisht nga puna për t’u kujdesur për vajzën 2-vjeçare Emi dhe për djalin 3-jatësh Luca. Zonja Kingsbury thotë se votoi për Presidentin Obama për një numër arsyesh. Njëra ishte pikëpamja republikane për çështjet e gruas:

“Më duket se gjatë gjithë ciklit të zgjedhjeve Partia Republikane tregoi vullnetin për t’i reduktuar pak nga pak të drejtat bazë të gruas, të cilat i kemi vendosur prej dekadash”.

Gjatë fushatës, dy kandidatë republikanë për Kongres, Todd Akin dhe Richard Murdock, bënë komente për përdhunimin, të cilat shumë vetë i konsideruan si ofenduese. Të dy ata humbën përballë rivalëve demokratë. Zonja Kingsbury thotë se ishte tronditur nga deklaratat e tyre:

“Por gjithashtu nuk mendova që ishin krejt të çuditshme, pasi mendoj se plot njerëz në Partinë Republikane kanë bindje dhe pikëpamje të ngjashme”.

Kur Mitt Romney u përpoq t’u drejtohej me mesazhin e tij grave, zonja Kingsbury thotë se fjalët që zgjodhi gjatë debatit flisnin qartë për bindjet e tij:

“Për mua këto fjalë tregonin se sa ngushtë e shihte ai rolin e gruas në shoqëri”.

Megjithatë, udhëheqësit republikanë thonë se ishin përqëndruar kryesisht tek ekonomia e vendit, pasi puna dhe siguria financiare janë temat më të rëndësishme për gratë:

“Përse 3.6 milionë më shumë gra kanë rënë nën nivelin e varfërisë sot se kur presidenti erdhi në post katër vjet më parë? Presidenti ka dështuar përballë përparësive të grave”.

Ndërkohë që 53 për qind e grave të martuara votuan për zotin Romney, shumica e nënave, si të martuara ose beqare, mbështetën zotin Obama.

Gratë që konkuruan për post dolën mirë, duke dërguar 20 senatore në Senat, ose një të pestën e vendeve. Por një prej tyre, demokratja Elizabeth Warren nga shteti Masaçusets thotë se duhet të kishte pasur më shumë:

“Duhet të flasim me seriozitet. Jemi në vitin 2012 dhe kemi vetëm 20 për qind të Senatit. Nuk mund të themi që gratë përfaqësohen në masë dërrmuese”.

Zonja Kingsbury shprehet se Amerika duhet të punojë më shumë për të avancuar statusin e gruas.
XS
SM
MD
LG