Lidhje

SHBA: Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut nuk mund të parashikohen

  • Zamira Edwards

SHBA: Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut nuk mund të parashikohen

SHBA: Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut nuk mund të parashikohen

Votuesit në shtetin e Karolinës së Jugut po hedhin votën e tyre në zgjedhjet paraprake për kandidatin republikan, që do të konkurojë përkundrejt presidentit Barak Obama në zgjedhjet e 6 nëntorit. Zgjedhjet në Karolinën e Jugut përbëjnë një garë kritike për një parti, që mezi po pret të emërojë rivalin, që ata shpresojnë se do të fitojë ndaj presidentit Obama. Sipas anketave të fundit të opinionit, ish kongresmeni, Newt Gingrich e ka shtuar mbështetjen, duke iu afruar ish guvernatorit të shtetit Massachusetts, Mitt Romney, i cili fitoi para 10 ditësh zgjedhjet paraprake në shtetin New Hampshire e madje gati sa nuk fitoi zgjedhjet e para paraprake në shtetin Iowa më 3 janar.

Para disa ditësh dukej sikur ish guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney e kishte të sigurtë fitoren në Karolinën e Jugut si edhe emërimin e Partisë Republikane.

Por mbështetja për një kandidat mund të ndryshojnë shumë shpejt.

Në 2-3 ditët e fundit, i vendosur për të mos bërë publike dokumentat rreth taksave, përkrahësit e zotit Romney në Karolinën e Jugut me sa duket u stepën.

Robert Oldendick, profesor i çështjeve politike në Universitetin e Karolinës së Jugut, thotë se qëndrimi i vetë zotit Romney ka bërë që votuesit në Karolinën e Jugut ta mendojnë edhe një herë mbështetjen për kandidatin.

"Reagimi i tij si dhe mënyra se si është përgjigjur lidhur me shumë çështje ka bërë që njerzit të vënë në dyshim kandidaturën e tij në qëllimin përfundimtar, fitoren kundër presidentit Barak Obama. Shumë prej tyre e menduan edhe një herë se për cilin kandidat do të votojnë".

Megjithëse vetëm para disa ditësh ish guvernatori Romney gëzonte një mbështetje dyshifrore më të madhe se sa zoti Gingrich, ai nuk u kushtoi rëndësi shqetësimeve rreth garës tepër të ngushtë disa orë para se të fillonte procesi zgjedhor në Karolinën e Jugut, madje shprehu optimizëm që ishte në një garë kaq të ngushtë me zotin Gingrich, nga shteti fqinj i Xhorxhias.

Në të njëjtën kohë, Newt Gingrich po e shton mbështetjen dhe në ditët e fundit mori mbështetjen e kandidatit tjetër republikan, Rick Perry, i cili u tërhoq nga gara të enjten, si dhe u paraqit shumë mirë në dy debate po gjatë kësaj jave. Ky hov i marrë nga ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Gingrich ndodh në një kohë shumë të përshtatshme për të, pasi ai shpreson të tregojë se ai është kandidati më i mirë repulikan për t’iu kundërvënë Presidentit Barak Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Ndërkohë, pretendenti tjetër, ish senatori Rick Santorum shtoi kritikat ndaj dy rivalëve të tij, me shpresë për të korrur një fitore të papritur si në Iowa.

Që prej vitit 1980, çdo kandidat republikan, që ka fituar zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut ka siguruar edhe emërimin e partisë për në zgjedhjet e nëntorit.

Zgjedhjet e ardhshme paraprake zhvillohen në Florida më 31 janar.

XS
SM
MD
LG