Lidhje

SHBA, republikanët marrin kontrollin e Senatit


Votuesit amerikanë u dhanë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit republikanëve gjatë dy vjetëve të fundit të presidentit Barack Obama në detyrë. Demokratët kishin 55 nga 100 vendet e Senatit para zgjedhjeve të djeshme, por republikanët siguruan të paktën shtatë vende të tjera me fitoret në Arkansa, Kolorado, Ajova, Montana, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Virxhinian Perëndimore.

Rezultatet ishin një përgjigje e qartë ndaj politikave të administratës demokrate që ka aktualisht Shtëpinë e Bardhë, gjë që është parë qartë edhe nga rënia e popullaritetit të Presidentit Obama.

Senatori republikan Mitch McConnell nga Kentaki, i cili siguroi me lehtësi rizgjedhjen në votimet e djeshme, do të bëhet udhëheqësi i shumicës republikane në Senat. Ai u zotua të përpiqet për një frymë mirëkuptimi me Presidentin Obama mbi një numër temash, por në një mbrëmje festive menjëherë pas zgjedhjeve ai tha gjithashtu se do të vazhdojë përpjekjet e republikanëve për të kufizuar qeverinë federale.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se Kongresi i kontrolluar nga republikanët do të punojë për ligje mbi energjinë dhe punësimin, të cilat, tha ai, ishin penguar nga demokratët gjatë kontrollit të tyre.

Republikanët fituan shumicën në senat për herë të parë pas tetë vjetësh - megjithëse një shumicë e thjeshtë - dhe thelluan shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve që nuk ka qënë e tillë që nga koha e presidentit Truman.

Analistët përmendin shumë faktorë që çuan në këtë fitore të thellë të republikanëve – kryesorja mes tyre – popullariteti mjaft i ulët i presidentit Obama. Në fakt shumë e shohin rezultatin si një referendum për politikat e ndjekura nga presidenti.

Faktor tjetër ishte vota e imigrantëve që iu mungoi këtë herë demokratëve pas vonesave dhe shtyrjes së votimit për reformën e imigracionit. Vlen të përmendet edhe paaftësia e demokratëve për të tërhequr votën e të rinjve dhe të grave që presidenti Obama mundi t’i tërheqë me aq efektivitet në të dyja fushatat presidenciale.

Tani mbetet për t’u parë se si do të qeveriset vendi nga një president demokrat dhe një kongres republikan. Senatori Mitch McConnell, që pritet të bëhet udhëheqësi i shumicës republikane në janar, tha dje pas fitores se shpreson të punojë me presidentin Obama, megjithë ndryshimet ideologjike.

“Nuk pres që presidenti të ngrihet nesër dhe ta shoh botën ndryshe nga ç’e ka parë sot në mëngjes. Ai e di se edhe unë nuk do t’i ndryshojë pikëpamjet e mia. Por ne kemi detyrimin të punojmë së bashku për çështjet për të cilat jemi dakort”.

Republikanët thelluan gjithashtu shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe shënuan fitore në disa gara për guvernatorë shtetesh.

Shumë votues thonë se ngërçi politik mes demokratëve dhe republikanëve në Uashington është bërë i padurueshëm.

“Ata duhet të fillojnë të bëjnë diçka. Gjërat duhet të ndryshojnë qartë dhe thjeshtë.”

Zemërimi me Uashingtonin luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhje sipas strategjistit republikan Ford O’Connell.

“Dy e treta e Amerikës mendon se vendi po shkonte në drejtimin e gabuar. Ata donin një ndryshim drejtimi. Dhe tani është në duart e republikanëve ta sjellin këtë ndryshim.”

Amerikanët hodhën votën e tyre dje dhe në gara të rëndësishme për në senat i dhanë vendet e mbajtura dikur nga demokratët për republikanët. Në Kolorado, senatori democrat Mark Udal u mposht nga sfiduesi republikan Cory Gardner.

“Sonte ne tronditëm senatin. Ne po shkojmë të rregullojmë Uashingtonin që ka dalë shinat dhe po ecën pa krye.”

Premtimi për të shkurtuar buxhetin federal ndihmoi kandidatin republikan për senator Joni Ernst të fitonte në Iowa.

“Shpenzimet federale dhe taksat duhet të ulen, duhet të hiqen pengesat në mënyrë që të riten bizneset dhe të shtohen investimet.”

E marta nuk ishte një fitore e pastër për republikanët pasi edhe demokratët mbajtën vendet e tyre në shtete si Nju Hempshër, ku Jeanne Shaheen fitoi një tjetër mandat.
"Do të punoj me të gjithë në senat – demokratët, republikanët, të pavarurit për të zgjidhur problemet.”

Sipas profesorit të Universitetit Amerikan Allan Lichtman, votimi i së martës ishte një referendum për udhëheqjen e presidentit Obama.

“Presidenti Obama i zhyti thellë demokratët. Nuk është se republikanët në këto zgjedhje paraqitën ide të mëdha, zgjidhje frymëzuese ndaj problemeve kombëtare. Ata thjeshtë lidhën çdo kandidat democrat me një president jo popullor demokrat.”

Duke reaguar ndaj një realiteti të ri politik në Uashington, presidenti Obama ka ftuar udhëheqës të kongresit nga të dyja dhomat dhe partite politike në një takim të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG