Lidhje

Shell përballë drejtësisë për ndotjet në Nigeri


Dy komunitete në Nigeri kanë marrë dritën jeshile për të vazhduar ankesat e tyre ligjore kundër gjigandit të naftës "Shell" me qëllim kompensimi përmes sistemit britanik të drejtësisë. Nigerianët pretendojnë se rrjedhjet nga tubacionet e naftës kanë shkatërruar mjedisin e këtyre komuniteteve në deltën e lumit Niger.

Popullsia Ogali pretendon se rrjedhjet nga tubacionet e kompanisë Shell që nga 1989 kanë shkatërruar burimet ujore dhe peshkimin.

Komuniteti tjetër Bille po ashtu ka hedhur në gjyq firmën Shell nën pretendimet se ka dështuar të mbrojë tubacionet nga dëmtimet nga njerëzit që përpiqen të vjedhin naftë.

Martyn Day, avokat për komunitetet në fjalë, thotë se është përgjegjësi e kompanisë Shell për të parandaluar vjedhjet.

“Në çdo pjesë tjetër të botës do të ishte bërë më shumë nga kompanitë e naftës për të parandaluar këtë që ka ndodhur këtu. Dhe kur ndodh, kanë sisteme paralajmëruese. Së dyti, ato i mbyllin tubacionet për të siguruar që rrjedhjet të jenë sa më të vogla.”

"Shell" nuk pranoi të fliste për median por përmes një deklerate thotë se në këto zona ka vjedhje të madhe të naftës së papërpunuar, sabotime në tubacione dhe rafinerim ilegal, që mbetet burimi kryesor i ndotjes. Shell po ashtu thotë se nuk ka prodhur naftë apo gaz në Ogoniland ku përfshihet edhe zona Ogale që nga viti 1993. Avokati Martyn Day :

“Tubacionet e kompanisë Shell kalojnë përmes zonave Ogale dhe Bille dhe rrjedhat nga këto tubacione kanë shkaktuar dëme. Fakti që Shell aktualisht nuk po nxjerr naftë nga këto zona nuk ka lidhje. Në fund të fundit, nafta është ajo që ka shkaktuar dëme.”

Vitin e shkuar gjykatat britanike vendosën që Shell duhet të paguante 77 milionë dollarë kompensime për komunitetin Bodo, toka e të cilëve po ashtu ishte ndotur nga rrjedha e naftës. Avokati Martyn Day shpjegon:

“Kuptohet që Shell nuk do që kjo të përsëritet, ndaj po kundërshton që çështja të trajtohet në Mbretërinë e Bashkuar. Jemi të kënaqur që gjykatësi është pajtur që çështjen ta trajtojmë atje.”

"Shell" thotë se ka rënë dakord për një plan pastrimi 18 mujor me komunitetet dhe Kombet e Bashkuara dhe pritet që të kërkojë që rasti në fjalë të trajtohet në Nigeri. Ende nuk është caktuar data e seancës dëgjimore në gjykatat londineze.

XS
SM
MD
LG