Lidhje

Dita e Shën Valentinit në Nju Jork


Ndërsa kjo ditë zakonisht festohet me lule, çokollata dhe mbrëmje intime, mesazhi është dashuria e vërtetë për atë që i jep këto dhurata

Dita e Shën Valentinit në Amerikë është një ditë ku tradicionalisht tregohet dashuria që njerëzit kanë për njëri-tjetrin. Ndërsa kjo ditë zakonisht festohet me lule, çokollata dhe mbrëmje intime, mesazhi që shoqëron këto akte është se marrësi i tyre është dashuria e vërtetë për atë që bën këto dhurata. Në materialin në vazhdim, do të ndjekim mendimet e disa nju jorkezëve se çfarë i shtyn për t’iu nisur partnerëve të tyre këto mesazhe dashurie.

Ishte një kohë gri dhe e ftohtë në Nju Jork, por atmosfera ishte e ngrohtë brenda zyrës së martesave të qyteti, ku çiftet prisnin me durim për të zyrtarizuar martesën e tyre. Ne pyetëm Larryn se çfarë bën bashkëshorja e tij e ardhshme, Karren që ai të ndjehet i lumtur dhe i dashuruar.

“ E fejuara ime më bën çdo mëngjes në fundjavë petulla. Këtë bën ajo për mua.”

Ndërsa Karren thotë:

“Ai më bën të qesh”.

Ushqimi luan rol edhe për Kenin dhe Rifkën, ndonëse Keni thotë se shija e ushqimeve që ajo përgatit nuk merret parasysh.

“Ngaqë e dua, çdo gjë që ajo bën më duket e shijshme. Nuk ka të bëjë me ushqimin. Unë dua çdo gjë që ajo gatuan sepse e di që i bën për mua”.

“Ajo që pëlqej tek ai është se ai asnjëherë nuk dorëzohet. Ai bën çdo gjë që unë të jem e lumtur. Çdo gjë!”

Për Jenifferin, dashuria e Juanit është masazhi që ai i bën kur ajo kthehet nga puna:

Jeniffer

“Unë punoj në restorant. Ka raste që punoj gjithë ditën dhe në fund të ditës këmbët më dhembin shumë. Ai thuajse çdo ditë më bën masazh. Ndjej përherë që ai më do”.

Për Shanen dhe Michaelin, dashuri do të thotë përkujdesja për njëri-tjetrin.

Shane

“Kisha një grip të rëndë. Isha sëmurë për dy javë. Ai u kujdes për mua”!

“Ajo që ai bën, është se ai është i kujdeshëm në përdorimin e kripës në ushqim pasi unë përdor shumë dhe ndonëse është irrituese shpesh herë kur më thotë, unë e di se ai kujdeset për mua”.

Ricardo dhe Maria kanë një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe figurative për të përçuar mesazhet mes tyre.

“Ajo më jep pusulla ku shkruhet “Të dua”. Mbas tre vitesh humbet disi kjo ndjenjë. Por unë ende i kam këto pusulla edhe sot”.

“Pata një ditë të keqe një herë dhe ai erdhi me një lodër dhe një kartolinë ku thuhej se e hëna është ditë e ngarkuar përherë. Nesër do të jetë një ditë më e mirë”.

Ngaqë nuk e di se çfarë sjell e nesërmja, Brittany dhe Hectori thonë se çdo ditë është e rëndësishme. Ata folën me Zërin e Amerikës disa momente përpara se të martoheshin.

“Burri im i ardhshëm, në çdo moment më thotë se sa e bukur jam. Dhe kjo më bën të ndjehem e veçantë për të. Fatkeqësisht ai është në ushtri, por unë e mbështes atë. Ai do të kthehet në Janar nga misioni”.

“Fakti që ajo më pret pa e ditur nëse unë do të kthehem ose jo nga misioni, do të thotë shumë për mua”.

Këto janë disa mënyra se si nju jorkezët shijojnë marrëdhënien e tyre, mes çokollatave dhe tullumbaceve në formën e zemrës, për Ditën e Shën Valentinit.

XS
SM
MD
LG