Lidhje

Shqipëri, Studim mbi Mjekësinë

  • Ilrian Agolli

Instituti Shqiptar i Marredhënieve Publike paraqiti sot gjetjet e një Studimi mbi Mjekesinë dhe Sigurimet Shëndetësore në Shqipëri. Qindra persona të intervisuar në të gjithë vendin zbuluan një seri abuzimesh me shërbimet shëndetësore ne të gjitha nivelet, nga mjeku i familjes, qendrat shëndetësore, poliklinikat, spitalet dhe farmacitë. Qytetaret ruajnë ende një perceptim të lartë për korrupsionin në mjekësi.

Instituti Shqiptar i Marrëdhënieve Publike bëri sot të ditur rezultatet e një studimi mbi vlerësimet e qytetarëve ndaj sigurimeve shëndetësore, ku zbulua mungesa e informimit dhe abuzimi me shërbimet shëndetësore. Banorë, mjekë dhe farmacistë të intervistuar nga i gjithë territori, Kukës, Mirditë, Lezhë, Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Elbasan, Pogradec dhe Korçë, mes tyre gjysma nga fshati dhe gjysma femra, pohuan se menaxhimi rajonal i sistemit shëndetësor është i dështuar prej korrupsionit, nepotizmit dhe lidhjeve politike.

Sipas studimit, opinioni publik e percepton sistemin shëndetësor si të korruptuar, të fragmentuar dhe në në dëm të pacientit. Deformimet më të mëdha i ka shërbimi spitalor, por nuk mbetet prapa as rrjeti farmaceutik.

“Farmacitë ankojnë mungesë të barnave të listës së rimbursueshme dhe fajësojnë depot farmaceutike për këtë. Ata kërkojnë një rol më aktiv në drejtim të Kontrollit të Barnave, duke kërkuar që të bashkohet pozita e atij që paguan për barnat e rimbursueshme me kontrollin e tyre. Shumica e farmacistëve, njëlloj si pacientët, besojnë pa hezitim se cilësia e barnave të listës së rimbursueshme është e dobët. Kësaj i shtohet mungesa e besimit tek institucioni i kontrollit të barnave” - tha Suela Mino, njw nga autoret e studimit.

Qytetarët e intervistuar pohojnë në intervista se mjekët specialistë u japin qëllimisht terapi të shtrenjta, duke braktisur praktikën e mjekut të familjes, i cili në fshat nuk ekziston ndërsa në qytet nuk funksionon. Pacientët nuk përfitojnë kontrolle as analiza falas, ndërsa pacientët kronikë detyrohen të bëjnë shpesh kontrolle të panevojshme për të rikonfirmuar diagnozën e tyre, gjë që rrit kostot e shërbimit shëndetësor në laboratoret e analizave. Studimi zbuloi se as fëmijët, formalisht të siguruar na shteti, nuk mjekohen falas, por prindërit paguajnë për ta gjatë gjithë procesit të mjekimit. Çmimet e referencës për shërbimet mjekësore publike për personat e pasiguruar shpesh tejkalojnë çmimet e shërbimit privat shëndetësor privat, konstatoi studimi, duke u shndërruar në një “makineri korrupsioni pasiv”, sepse mjekët paguhen nën dorë.

“Sistemi i referemit duhet në mënyrë urgjente të garantojë de facto ekzaminimin, trajtimin e specializuar dhe mjekimin e fëmijëve falas brenda skemës së sigurimit shëndetësor. Situata në fshat kërkon rikonceptimin e sistemit të referimit për të shmangur deformimin e sistemit nga presioni korruptiv i prodhuar vetëdijshëm me procedurë ligjore. Të gjithë nivelet vendim-marrëse dhe ekzekutive duhet në mënyrë urgjente të vlerësojnë rrugët për lehtësimin e procedurave si për pacientin ashtu edhe për mjekun” - tha zonja Mino.

Personeli mjekësor shprehet pro krijimit të një enti të unifikuar financiar, që të menaxhojë marrëdhëniet financiare të pacientit me sistemin shëndetësor, dhe të shmangë përdorimin e parave si rrugë alternative e marrjen e shërbimit shëndetësor publik.

Korrupsioni dhe mungesa e informacionit janë denoncuar edhe më parë nga qytetarët. Në vëzhgimet periodike mjekët dhe doganierët janë në vendin e parë të profesioneve më shumë të korruptuar në Shqipëri.

Korrupsioni në spitale vlerësohet nga qytetarët si më i dhimbshmi, sepse nëse rryshfeti në dogana është punë tregtie, rryshfeti ndaj mjekut për familjarin e sëmurë është çështje jete a vdekje, sepse për të marrë shërbimin mjekësor gati të monopolizuar dhe për të shëruar njeriun e shtëpisë askush nuk kursen paratë e pakta, shpesh të marra borxh me urgjencë nëpër miq e të afërm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG