Lidhje

Shenja të rimëkëmbjes në panairin e makinave amerikane në Detroit


Shenja të rimëkëmbjes në panairin e makinave amerikane në Detroit
Shenja të rimëkëmbjes në panairin e makinave amerikane në Detroit

Panairi Ndërkombëtar i Makinave në Amerikën Veriore për vitin 2012 është hapur në Detroit të Miçiganit. Panairi i përvitshëm është një nga ngjarjet kryesore të industrisë së makinave ku prezantohen makina dhe teknologji të reja. Panairi i këtij viti zhvillohet në një kohë kur shitjet e kompanive Ford, Chrysler dhe General Motors janë në rritje. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kane Farabaugh, pavarësisht nga rritja e re e shitjeve, analistët thonë se sektori i automjeteve nuk është normalizuar krejtësisht pasi papunësia e lartë në vend vazhdon të peshojë mbi blerësit e mundshëm të makinave.

Mesazhi i drejtorit ekzekutiv to Fordit Alan Mulally gjatë prezantimit të makinës së tipit Ford Fusion ishte i drejtpërdrejt: kompania e tij është fitimprurëse dhe në rritje.

“Ne jemi të angazhuar për hapjen e 12 mijë vendeve të reja të punës në fabrikat tona në SHBA dhe jemi në rrugë të mirë për ta realizuar këtë deri në fund të vitit. Ne gjithashtu do të të shtojmë 3 mijë vende të reja pune në rajonin e Azi-Paqësorit”.

Zgjerimi i Fordit vjen pas disa vitesh me fitime dhe shnon një ndryshim dramatik në industrinë e makinave e cila ka mbyllur dhjetëra mijëra vende pune në dekadën e fundit. Por, sipas kontratave të reja të ratifikuara në vitin 2011 me Sindikatën e Punëtorëve të Bashkuar, kompanitë Ford, General Motors dhe Chrysler po rikthejnë në punë shumë njerëz në linjat e montimit në SHBA.

“Fakti që ne kemi qenë në gjendje t’i mbajmë të gjitha këto vende pune dhe investime këtu në vendin tonë unë mendoj se është pozitiv në përgjithësi për prodhimin e brendshëm.”

Bob King është president i Sindikatës së Punëtorëve të Bashkuar. Ai thotë se disa objekte të mbyllura në SHBA do të ri-hapen në kuadrin e marrëveshjeve të reja dhe më shumë makina amerikane do t’u shiten blerësve të huaj.

“Për shumë vite, nuk kishte eksportim aq të madh të makinave në pjesë të tjera të botës. Tani tre kompanitë e mëdha do të eksportojnë numër të madh makinash nga Shtetet e Bashkuara”.

Megjithëse, ky duket si lajm i mirë për industrinë amerikane të makinave, pas ndihmës financiare nga qeveria, profesori i ekonomisë në Universitetin e Miçiganit Bruce Pietrykowski thotë se industria e makinave nuk është normalizuar plotësisht dhe ajo është në rrëzik të bjerë përsëri.

“Shumica e amerikanëve nuk kanë të ardhura ashtu siç kishin në vitin 2000. Shumica e amerikanëve janë ose të papunë, ose kanë patur ulje të rrogave nga koha kur industria e makinave arriti kulmin e saj të shitjeve vjetore.”

Profesor Pietrykowski thotë se shitjet e fundit në Shtetet e Bashkuara janë rezultat i kërkesës nga klientët të cilët kanë vonuar blerjen e makinave gjatë recesionit ekonomik. Sipas tij, një tjetër pengesë për përparimin e mëtejshëm të industrisë amerikane të makinave është e lidhur direjtpërdrejt me Wall Street-in dhe tregun e shtëpive në rënie.

“Qasja te kreditë është e kufizuar tani, kështu që amerikanët nuk janë në gjendje të përballojnë marrjen e kredive për të blerë makina dhe janë më pak të gatshëm ta vënë veten në një pozitë më të vështirë financiare për të blerë një makinë.”

Për këtë arsye në panairin e makinave të këtij viti në Detroit, prodhuesit e makinave po prezantojnë makina të reja, të vogla, ekonomike dhe që shpenzojnë më pak karburant. Ata po përpiqen t’u ofrojnë makina ekonomike klientëve të mundshëm që ende janë në pritje për të blerë një makinë të re, ndërkohë që ata ndeshen me vështirësitë e një periudhe të pasigurtë ekonomike.

XS
SM
MD
LG