Lidhje

Incident tjetër në fushatën elektorale në Tiranë


Incident tjetër në fushatën elektorale në Tiranë
Incident tjetër në fushatën elektorale në Tiranë

Në Shqipëri, ku prej ditësh ka nisur zyrtarisht fushata elektorale, u regjistrua një tjetër incident gjatë mbrëmjes se djeshme, ndërsa Partia Socialiste po përgatitej të niste një miting në një nga zonat e Tiranës ku merrte pjesë dhe kryetari Edi Rama. Një 16 vjeçar mbeti i plagosur me thikë pas një përplasjeje me një grup personash, të cilët sipas socialistëve ishin përkrahës të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila më vonë mohoi të ketë lidhje me ngjarjen. Po mbrëmë, kryeministri gjatë një interviste në televizionin News 24 dënoi incidentet e ndodhura ditët e fundit duke u bërë thirrje simpatizantëve të tij të shmangin çdo akt dhune. Gjatë intervistës, kryeministri Berisha evitoi të komentonte përplasjen mes komandatit të forcave speciale dhe zëvendësministrit të Brendshëm, duke u shprehur se për këtë çështje tani po heton prokuroria.

U bënë disa ditë me radhë që fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit po shënohet nga incidente të llojeve të ndryshme, ku nuk ka munguar as prania e armëve. Mbrëmë, një 16 vjecar mbeti plagosur në Tiranë ndërsa Partia Socialiste po përgatitej të niste një miting në një nga zonat e kryeqytetit. Sipas dëshmive, ai u godit me thikë nga disa persona të cilët sipas socialistëve ishin të Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila kishte një zyrë shumë pranë zonës ku do të bëhej mitingu i socialistëve. I riu u dërgua në spital ku ju nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, dhe nuk ka pasoja për jetën, ndërsa agresorët u larguan nga vendi i ngjarjes. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, hodhi poshtë akuzat për lidhje të partisë së tij me këtë incidet duke deklaruar se nxitësit e provokimeve duhet të heqin dorë prej tyre.

Incidentet mes përkrahësve të kampeve kundërshtare politike ndonëse kanë qenë të përmasave të vogla deri më tani, duket se vetëm po i hedhin benzinë një zjarri të ndezur prej kohësh në skenën politike shqiptare.

Kryeministri Sali Berisha, mbrëmë gjatë një interviste në televizionin “News 24” në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, u bëri thirrje përkrasve të shumicës të shmangin aktet e dhunës:

“Incidente të papranueshme të cilat shpresoj të mos përsëriten. Dënoj çdo akt dhune, e u bëj thirrje së pari anëtarëve dhe aktivistëve të shumicës të respektojnë rigorozisht ligjin dhe të shmangin çdo akt dhune. Kjo thirrje u drejtohet të gjithë qytetarëve e simpatizantëve të partive të tjera”

Incidentet e ditëve të fundit provokuan pak ditë më parë edhe një përplasje mes drejtorit të forcave të ndërhyrjes së shpejtë Shemsi Premçi dhe zëvendësministrit të Brendshëm Avenir Peka, i cili është aktualisht edhe ministër në detyrë pas dorëheqjes së zotit Lulzim Basha.

Zoti Premçi akuzoi drejtuesin e Ministrisë se e kish urdhëruar “të ndërhynte për të shtypur përkrahësit e kandidatit socialist në zonën e Bathores në Kamëz”. Një akuzë e cila u hodh poshtë nga zoti Peka i cili e konsideroi atë një shpifje.

Të dy kanë bërë kallëzim në prokurori ndaj njëri tjetrit. Kryeministri Berisha evitoi mbrëmë të komentonte këtë përplasje duke qenë se sipas tij të dy kanë dhënë versione të ndryshme e duke u shprehur se çështja tani është në hetim:

“Ky është një proces në hetim. Të dy palët kanë paditur njëri tjetrin në prokurori. Le të hetohet. Një gjë është e sigurt se policia ka vetëm një urdhër të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është është porosia e prerë që Drejtori i Përgjithshëm i policisë dhe zëvendësministri që kryen detyrën e ministrit kanë nga kryeministri i vendit”.

Për situatën e tensionuar ka folur dje edhe presidenti Bamir Topi gjatë një takimi me drejtuesit e Transparency International Albania. Ai ka bërë përgjegjëse forcat politike të cilat sipas tij kanë nxitur dhunën me debatet e tyre aspak qytetare. Presidenti ka kërkuar uljen e tensioneve duke kërkuar qe partitë të bëjnë nga ana e tyre thirrje për tolerancë e që kandidatët në garë të përqëndrohen tek programet e tyre elektorale.

XS
SM
MD
LG