Lidhje

Financimi i shërbimit shëndetësor


Donatorët kryesorë janë duke ndryshuar mënyrën e financimit të programeve të shëndetësisë në vendet me të ardhura të ulta. Rezultati tek shëndeti i nënave dhe fëmijëve ka qenë aq i suksesshëm, sa që Banka Botërore dhe Fondi Global janë duke punuar për të shtuar programe për SIDË-n, tuberkulozin dhe malarien. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, ndryshimi i financimeve përqendrohet tek motivimi i punonjësve të shërbimit shëndetësor, që ata të sigurojnë një shërbim më të mirë, për t’u ardhur në ndihmë pacientëve në nevojë.

Kur gratë shtatzanë kanë shërbim të mirë shëndetësor, një mami të përgatitur, apo një mjek pranë shtratit gjatë lindjes, nënat dhe fëmijët i kanë më tepër mundësitë për të mbijetuar.

Kur fëmijët vaksinohen për sëmundjet e parandalueshme dhe marrin kujdes cilësor kur janë sëmurë, ata i kanë më tepër mundësitë të arrijnë moshën 5-vjeçare. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë, se vitin e kaluar, 6,5 milionë fëmijë nuk mundën të mbijetojnë dhe vdiqën pa mbushur 5 vjeç.

Fëmijët e lindur në Afrikën Nën-Sahariane rrezikojnë më tepër të vdesin gjatë 5 viteve të para. Shumica e vdekjeve janë të parandalueshme. Banka Botërore dhe disa dhurues të tjerë kanë filluar një plan për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që të mbijetojnë. Tim Evans kryeson programin në Bankën Botërore.

“Ne duam që gratë të kenë kujdes pas lindjes, duam që fëmijët të lindin me një person të kualifikuar pranë dhe që të kenë kujdesin e nevojshëm në momente urgjente. Në se duam të kemi këtë lloj mbulimi për popullsinë, atëhere lind pyetja, si ta organizojmë sistemin dhe të investojmë në mënyrë të tillë, për të arritur këto rezultate?”

Plani quhet “financim bazuar tek rezultatet” dhe ai i lidh stimujt me rezultatet. Për shembull, në disa vende, gratë paguhen që t’i lindin fëmijët në spital. Mamitë marrin para shtesë kur ato ndihmojnë në lindjen e foshnjeve të shëndetshme. Mjekëve mund t’u jepen para shtesë, në se ata vaksinojnë një numër të caktuar fëmijësh.

Programi siguron stimuj për t’u orfuar shërbim mjekësor të drejtpërdrejtë pacientëve, ose për t’i çuar ata në klinika.

“Ky është një funksion që u jep këtyre njerëzve stimuj që të zgjidhin problemet e tyre, sepse stimuli për ta lidhet direkt me arritjen e rezulateteve.”

Ndihma po ashtu mund të ketë në objektiv programe në vendet me të ardhura mesatare. Foshnjet janë më delikate në 28 ditët e para të jetës së tyre. Programi i stimujve e ndihmoi Argjentinën të pakësojë vdekjet në radhët e fëmijëve me 74 për qind.

Që nga viti 2007, Banka Botërore ka financuar programe të bazuara tek financimet në 31 vende të ndryshme, të mjaftueshme për të parë rezultat: shpëtimin e jetëve njerëzore dhe shtimin e fondeve nga donatorët.

Banka tani është duke bashkëpunuar me Fondin Global për Luftën kundër SIDË-s, Tuberkulozit dhe Malaries, për të ndihmuar në përshtatjen e financimeve të bazuara tek rezulatet në luftën kundër këtyre sëmundjeve.

Edhe grupe të tjera të rëndësishme financuese po ashtu janë duke e studjuar planin. Programe të ngjashme mund të ndihmojnë që vajzat të qëndrojnë në shkollë, ku ato mund të mësojnë aftësi të ndryshme për punë dhe njëkohësisht, të paralajmërojnë kundër martesave në vitet e fëmijërisë dhe për të parandaluar shtatzaninë gjatë adoleshencës. Rezultati përfundimtar do të ishte nëna dhe foshnje më të shëndetshme.
XS
SM
MD
LG