Lidhje

Ekspozitë mbi Sherlock Holmes në Londër


Marrë nga filmi Sherlock Holmes
Marrë nga filmi Sherlock Holmes

Një ekspozitë në Muzeun e Londrës eksploron detektivin e famshëm të librave, Sherlock Holmes. Ai është një personazh i përshtatur pafundësisht për filma, seriale televizive, etj, por pa humbur karakteristikat kryesore si një detektiv i zgjuar, shkencëtar mjeko-ligjor, adhurues i argëtimit e drogës dhe person stereotip anglez.

Një ekspozitë e re ka vënë Sherlock Holmes-in nën xhamin zmadhues. Shumë turistë ende shohin përmes syve të detektivit të Londrës dhe shpesh kërkojnë për adresën ku ai kishte shtëpinë në Baker Street.

Duket të jetë një deduksion logjik pra, që krijuesi i detektivit imagjinar, shkrimtari Arthur Conan Doyle, të ketë njohur mirë qytetin. Por, sipas ekspertëve, ai nuk kaloi shumë kohë në Londër. Kur ai shkroi tregimet e tij të para, shihte topografinë e qytetit në një atlas. Kjo është vetëm njëra nga surprizat e shumta që ofrohen në Muzeun e Londrës në ekspozitën e re me sekrete rreth mitit.

Nëpërmjet videove filmike, kostumeve, pajisjeve të mjekësisë ligjore të shekullit të 19-të, etj, ekspozita e “ndjek” Sherlock Holmes-in që kur ishte vetëm një ide në fletoren e Conan Doyle-it deri në detektivin modern që shihet dhe në telefonat inteligjentë luajtur nga Benedict Cumberbatch, në serinë televizive të BBC-së "Sherlock".

"Sherlock Holmes është detektivi imagjinar më i famshëm në botë dhe duket të ketë një interes të jashtëzakonshëm në këtë moment për këtë personazh dhe menduam se kjo ishte koha më e përshtatshme për ta realizuar ekspozitën. Dhe nuk ka pasur një të tillë për më shumë se 60 vjet," thotë kuratori kryesor i ekspozitës, Alex Werner.

Për adhuruesit e Sherlock Holmes ndoshta objekti më emocionues mund të jetë ky shënim me shkrim dore që tregon se si Conan Doyle formuloi personazhin e tij kryesor. Është për “Një studio në të kuqe”- i pari prej dy romaneve të shkurtra me Holmes si personazh - dhe tregon se si në një moment po shqyrtohen emrat e personazheve kryesore.

Dr. Watson shfaqet si 'Ormond Sacker' dhe Sherlock Holmes si 'Sherrinford Holmes'.

Dy romanet e para të Conan Doyle-it nuk patën shumë ndikim, por kur tregimet e shkurtra filluan të shfaqen në revistën Strand detektivi u kthye në sensacion letrar.

Ekspozita gjithashtu i hedh një vështrim marrëdhënieve të detektivit me Londrën. Sherlock Holmes është një ikonë e metropolit Viktorian, një vend me karroca me kuaj, qoshe të errëta, ndriçim me gaz dhe mjegull. Londra ishte duke u bërë një qytet modern, kur u botuan historitë me Sherlock Holmes. Ndërtesat e vjetra po shembeshin dhe rrugët po zgjeroheshin.

Ekspozita përmban piktura që tregojnë monumente si ura Westminster. Sipas historianit, David Cannadine, atmosfera e krijuar nga Arthur Conan Doyle ishte e gjallë, por në disa raste jo e plotë.

"Mendoj se të gjithë kemi prirje të mendojmë se vitet e fundit të shekullit të 19-të në Londër ishin vërtetë si përshkruhen nga Conan Doyle-i. Pra, ne imagjinojmë veçanërisht llambat e gazit dhe trokëllimën e kuajve dhe mjegullën në Baker Street. Në një farë mase kjo është e saktë, por në fakt Conan Doyle nuk e pasqyroi të gjithë atmosferike e shekullit të 19-të në Londër. Ai nuk përshkroi bllokimin e trafikut, nuk shkroi për erën e keqe prej kuajve, nuk shkroi për trotuaret e pista," thotë ai.

Ekspozita përmban objekte të shumta që detektivi përdorte ndërsa zbulonte krimet, duke përfshirë parruke dhe artikuj kozmetikë që ai vishte për të mashtruar armiqtë. Sipas zotit Cannadine, ajo që e bën Sherlock Holmes një personazh kaq intrigues është dyzimi i personalitetit të tij. Nga njëra anë, ai është një Superman i pandalshëm, nga ana tjetër një dekadent i famshëm.

Dhe ky personazh kaq i paparashikueshëm kohët e fundit është parë nëpër tapete të kuqë. Bëhet fjalë për aktorin Benedikti Cumberbatch, i cili ka sjellë 'Sherlock Holmes' në shekullin e 21-të. Seriali i tij televiziv “Sherlock”, një nga shfaqet e fundit të personazhit, nuk është injoruar në këtë ekspozitë. Aty gjendet xhaketa e famshme Belstaff, që Cumberbatch ka veshur në serialin e BBC-së.

Ekspozita "Sherlock Holmes: Njeriu që nuk jetoi kurrë dhe kurrë nuk do të vdesë" sapo është hapur në Muzeun e Londrës dhe vazhdon deri më 12 prill 2015.

XS
SM
MD
LG