Lidhje

Shetet e Bashkuara dhe strategjia e tyre për luftërat afatgjata


Shetet e Bashkuara dhe strategjia e tyre për luftërat afatgjata
Shetet e Bashkuara dhe strategjia e tyre për luftërat afatgjata

Strategjia e luftës kundër forcave kryengritëse e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, e përdorur për të luftuar armiqtë dhe për të ndihmuar në ndërtimin e demokracive në Irak e Afganistan duket se nuk gëzon më atë përkrahje që gëzonte më pare. Disa zyrtarë amerikanë, shumë anëtarë të Kongresit, si dhe publiku në përgjithësi kanë ngritur shqetësime rreth kësaj taktike afat-gjatë dhe të kushtueshme. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Al Pessin njofton mbi atë që mund të jetë një ndryshim domethënës për mënyrën sesi Shtetet e Bashkuara po përdorin fuqinë për të realizuar interesat e tyre.

Kur luftrat e Irakut e Afganistanit nisën në vitet 2001 dhe 2003, zyrtarët amerikanë shpresonin që të hiqnin regjimet e këtyre vendeve, ato të zëvendësoheshin me qeveri të dala nga zgjedhjet, t’i bënin këto vende të mos ishin mbështetëse të grupeve terroriste, e më pas të largoheshin shpejt prej tyre. Por nuk funksionoi në këtë mënyrë.

Në vend të kësaj strategjie, trupat ushtarke dhe diplomatët amerikanë janë mbërthyer në konflikte të gjata e të përgjakshme, në përpjekje për të ndihmuar lindjen e udhëheqjeve të reja, të besueshme dhe krijimin e forcave të afta të sigurisë. Lufta në Afganistan është pranë përvjetorit të saj të 10-të, ndërkohë që planet strategjike parashikojnë praninë e aleatëve në këtë vend të paktën dhe për tre vjet të tjera. Prania ushtarake amerikane në Irak është planifikuar që të përfundojë në dhjetor, mbas më shumë se 8 vitesh, por konflikti zien përbrenda.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates shprehu shqetësimin në rritje gjatë një fjalimi në akademinë ushtarake të West Point-it.

“Për mendimin tim, çdo kush që në të ardhmen do të jetë Sekretar i Mbrojtjes, e që do të këshillojë presidentin sërish që të dërgojë një numër të madh forcash tokësore amerikane në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, duhet të kontrollohet nëse është në rregull apo jo”.

Thënia e sekretarit Gates reflekton shqetësimet për luftërat e Irakut e Afgansitanit, edhe në se realizohen në fund të tyre, disa prej qëllimeve strategjike.

Në këto luftra, Shtete e Bashkuara dhe aletët e tyre u përballën me atë, që për disa specialistë, është një problem i njohur - vështirësia për të luftuar kryengritësit të cilët kanë mbështetje popullore për shkak të ideologjisë ose ankesave të acaruara prej një kohë të gjatë dhe që kanë aftësinë për t’u fshehur në mes të popullit, për të shtuar rradhët e tyre dhe, si në rastin e Afganistanit, patjen e bazave të sigurta në një vend fqinj.

Mbas disa viteve përpjekjesh për të rinxjerrë mësime nga lufta e Vietnamit si dhe konflikte të së shkuarës, ushtria amerikane hartoi një doktrinë të re kundërkryengritësve në vitin 2006. Kjo doktrinë u hartua për të patur një udhëzues konkret për trupat në terren, të cilët duhet të fitojnë mbështetjen e popullatës vendase, të përgatisin udhëheqësit vendorë dhe të pregatisin forcat e sigurisë , e njëkohësisht të luftojnë edhe me kryengritësit.

Historiani ushtarak, nën koloneli në pension i ushtrisë amerikane Konrade Krane u ngarkua për të drejtuar hartimin e kësaj doktrine.

“Nëse politikanët vendosin që ne kemi nevojë për t’u angazhuar në një luftë kundër kryengritësve si mjet për të arritur pikësynimet tona, atëherë doktrina hartohet për të treguar se si t’a realizojmë këtë”.

Konceptet e luftës kundër kryengritësve dhe doktrina që nënkoloneli Krane ndihmoi për të shkruar, u kthyen në udhëzues për ushtrinë dhe ekspertë të jashtëm, dhe ata thonë se përmirësimi që ofron kjo doktrinë, çon drej suksesit. Por kjo nuk rezulton në përfundimin e shpejtë të konflikteve. Tani, sidomos mbas vdekjes së Osama Bin Ladenit, edhe më shumë pjestarë të Kongresit, zyrtarë të administratës Obama dhe të tjerë, janë edhe më të hapur mbi shqetësimet e tyre për koston e lartë - njerëzore e financiare - të planit të NATO-s për të vazhduar angazhimin serioz ushtarak në Afganistan edhe për disa vite të tjera. Nënkolonelit Krane kjo i duket ironike.

“Ne paralajmëruam kur shkruam doktrinën se lufta kundër kryengritësve është gjithmonë e gjatë, e kushtueshme dhe e përgjakshme. Tani njerëzit ankohen sepse po e shohin që kundërkryengritja si strategji do kohë, është e shtrenjtë dhe e përgjakshme”.

Një tjetër oficer në pension i ushtrisë amerikane mbështet rënien e popullaritetit të strategjisë së kundërkyrengritjeve.

“Nëse kursi i kundërkryengritjes është në rënie, kjo është një gjë e mirë për vendin”.

Profesori Andrew Baceviç i Universitetit të Bostonit është një kolonel në pension i cili ka shkruar një sërë librash dhe shumë artikuj ku kritikon atë që ai e sheh si gadishmëri e tepruar e udhëheqësve amerikanë për të angazhuar trupat, prestigjin dhe kapacitetet ekonomike në konflikte të stërzgjatura.

“Koncepti se lufta është e vetmja përgjigje për Xhihadizmin e dhunshëm antiperëndimor është qesharake, dhe na çon në një rrugë ku çdo zgjidhje është zgjidhje e keqe. Mendoj se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë më përzgjedhëse në gadishmërinë e tyre për të përdorur fuqinë që kanë. Të qenit më përzgjedhës do t’u shërbente më shumë interesave tona”.

Zoti Baceviç thotë se terroristët duhet të trajtohen si kriminelë dhe jo si kundërshtarë ushtarakë. Dhe ndërsa ai bënë me dije se kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara kanë një rol në përcaktimin se kur Shtetet e Bashkuara hyjnë në luftë, ai thotë se zyrtarët amerikanë duhet të marrin parasysh një spektër më të gjerë mundësish sesa vetëm ndërhyrja ushtarake dhe fushatat kundër kryengritësve.

Në një fjalim mbi të ardhmen e luftës, Nën Sekretari i Mbrojtjes William Lin tregoi se departamenti është duke ecur drejt arritjes së një barazpeshe mes investimit në strategjinë e kundërkryengritjeve kundrejt shtimit të aftësive tradicionale ushtarake.

“Mendoj se ju duhet të vendosni se cilën prej tyre duhet të theksojmë më tepër. Por nuk mendoj se mund të eleminoni ndonjërën. Mendoj se është e pamundur”.

Zoti Lin tha se luftërat në Irak e Afgansitan kanë qenë më të vështira se ç’pritej por ushtria amerikane duhet të ketë trupa të mjaftueshme si dhe përgatitje të duhur, pajimet dhe mbështetjen familjare për konflikte të gjata edhe në të ardhmen, të cilat ai tha se janë ende “mundshme” për të ndodhur.

Autori i doktrinës së luftës kundër kryengritësve, Konrade Krane, thotë se dokumenti prej 240 faqesh është një udhërrëfyes i mirë nëse udhëheqësit politikë vendosin se një përpjekje e tillë është e domosdoshme për të ardhmen. Por ai gjithashtu thotë se ka dy lloj fushatash ushtarake, si përpjekja ajrore e detare në Libi, të cilën Shtetet e Bashkuara dhe aleatët mund t’a përdorin në disa situata, ashtu edhe sanksionet ekonomike, përpjekjet diplomatike dhe mënyra të tjera. Ai bie dakort me sekretarin e mbrojtjes Robert Gajtes, kur thotë se asnjë udhëheqës amerikan nuk duhet të jetë i zellshëm për të angazhuar vendin në fushata kundërkryengritëse të shtrenjta e të përgjakshmme, të cilat zgjasin për një kohë të gjatë.

XS
SM
MD
LG