Lidhje

Përdorimi i mediave nga luftëtarët shiitë dhe ISIS


Video me skena groteske të ekzekutimeve dhe mizorive të tjera janë bërë pothuajse të zakonshme në mediat sociale. Në sytë e publikut ato lidhen me grupin që e quan veten Shteti Islamik. Por ndërsa forcat irakiane dhe luftëtarët shiitë vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territoret e pushtuara nga Shteti Islamik, në internet kanë filluar të publikohen video të reja. Materiali sjell hollësi mbi taktikat brutale të grupeve ekstremiste.

Një video që tregon një djalë të ri në prag të ekzekutimit për bashkëpunim me Shtetin Islamik, është vetëm një nga shembujt e shumtë të asaj që luftëtarët shiitë në Irak po publikojnë në internet, shpesh duke përdorur telefonat e tyre celularë.

"Luftëtarët po filmojnë dhe publikojnë në internet këto imazhe. Ata duan të tregojnë se janë të fortë dhe brutalë ashtu si luftëtarët e ISIS-it".

Profesori i Universitetit të Merilendit, Phillip Smyth monitoron aktivitetet e luftëtarëve shiitë të Irakut në internet.

"Në dy muajt e fundit që nga vjeshta e vitit 2014 ka patur një rritje të publikimit të imazheve brutale".

Zyrtarët amerikanë thonë se videot, vërtetimi i të cilave është i vështirë, janë "padyshim shumë shqetësuese", dhe numërimi i tyre është i vështirë sepse çdo ditë publikohen të reja.

Për luftëtarët shiitë, videot shërbejnë për të fituar mbështetje, ndërkohë që nxisin frikë mes njerëzve që përpiqen t'u kundërvihen.

Për individët, kjo është një mënyrë e shpejtë dhe e lehtë për të publikuar një trofe të luftës, ose për të ndërtuar rezymenë e tyre në internet.

"Nëse dikush dëshiron t’i bashkohet grupit të luftëtarëve, ky dikush do të donte të tregonte dëshmi të suksesit, për shembull se u ka shkaktuar dëme ISIS-it".

Profesori Smyth thotë se, tani për tani, duket se ka pak reagime nga luftëtarët shiitë kundër kësaj sjelljeje.

Ndërkohë që forcat irakiane dhe luftëtarët shiitë vazhdojnë të përparojnë, mbetet për t'u parë se si do të priten paralajmërimet e kryeministrit të Irakut Haider al-Abadi kundër këtyre veprimeve.

"Ka infiltrues që duan t’ia humbin vlerën fitoreve tona me anë të krimeve dhe shkeljeve të rënda ndaj sigurisë dhe pronës. Prandaj, ne kemi lëshuar urdhëra të ashpra për forcat e sigurisë, policinë, komandantët e ushtrisë dhe komandantët e luftëtarëve të tjerë", thotë kryeministri irakian.

Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa, thotë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki.

"Ne në të kaluarën kemi ndalur ndihmën për njësi të caktuara të ushtrisë së Irakut në bazë të informatave që kemi patur mbi veprimet e tyre".

Por luftëtarët shiitë janë një çështje tjetër, shumë prej tyre marrin urdhra nga Irani.

Zyrtari kryesor i ushtrisë amerikane u ka thënë ligjvënësve se kjo e shqetëson.

"Jam i shqetësuar nëse ata angazhohen në akte ndëshkimi dhe spastrimi etnik kur rimarrin territorin e humbur ".

Studiuesit si profesori Phillip Smyth thonë se historitë e treguara nga telefonat celularë të Irakut janë mjaft të qarta.

"Ato thonë se po veprojnë në një mjedis brutal dhe nuk duket se kjo situatë do të ndryshojë së shpejti".

Çdo video me imazhe të rënda është një përpjekje e re për të treguar se kush është më i ashpër dhe më mizor në luftë.

XS
SM
MD
LG