Lidhje

Shqipëri, qeveria mbron ndryshimet në SHISH


Ministrja e Integrimit “opozita shpif. Shaqiri u largua pas 8 vitesh”. Socialistët “drejtori i ri ushtar i kryeministrit. Bashkëpunëtor i Gazidedes”

Në Shqipëri qeveria reagoi sot pas polemikave dhe akuzave që nxiti shkarkimi i drejtorit të shërbimeve sekrete Bahri Shaqiri, duke deklaruar se zoti Visho Lika, i emëruar në kët post është një figurë jo partiake, me një karrierë të shkëlqyer akademike dhe zyrtare. Socialistët u kundërpërgjigjën menjëherë duke kujtuar funksionin e zotit Lika në shërbimet sekrete të fillim viteve ’90 që sipas tyre u kthye në atë kohë në një dorë mafioze të kryeministrit

Pas disa ditësh debatesh të zjarrta dhe polemikash të forta që shkaktoi shkarkimi i drejtorit të shërbimeve sekrete Bahri Shaqiri dhe emërimi në këtë post i zotit Visho Lika, qeveria reagoi ndaj akuzave të lëshuara në drejtim të kryeministrit Sali Berisha se po kërkon të vërë nën kontroll të gjitha institucionet e vendit. Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, tha sot nga selia e kryeministrisë se kryetari socialist Edi Rama dhe mediat që sipas saj kontrollohen nga ai, kanë nxitur një stuhi histerike, duke i cilësuar ato si shpifës dhe primitiv.

Ministrja Bregu i kujtoi socialistëve se ata në 8 vite pushtet vendosën në krye të institucioneve kushtetuese të vendit, militantë dhe përfaqësueës të forumeve të larta të partisë së tyre, ndërsa theksoi se “shërbimi informativ është në cdo vend të botës agjenci ekzekutive dhe jo pronë partie” dhe se zëvendësimi është bërë në përputhje me ligjin: "Zoti Rama dhe suita e tij mediatike bëhen qesharakë kur çirren dhe vajtojnë se u zëvendësua pas tetë vjetësh, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, ndërkohë që qeveritë socialiste, gjatë tetë viteve në pushtet, ndërruan tre drejtorë të këtij Shërbimi dhe nuk nguruan të vendosin në krye të tij, në emër të depolitizimit, anëtarin e kryesisë së PS-së, Fatos Klosin"

Zonja Bregu vlerësoi lart edhe figurën profesionale të kryetarit të ri të shërbimeve sekrete “Një personalitet i shquar i vendit, jo partiak, me një karrierë akademike dhe zyrtare ndër më të shkëlqyerat. Ai u ftua në Shqipëri në kuadër të programit të Ekselencës dhe Brain Gain-it të qeverisë shqiptare, për të kontribuar në zhvillimin e këtij vendi. Nga viti 2009 e në vazhdim, zoti Ajazi ka dhënë një kontribut madhor në projektet më kryesore të Shqipërisë dixhitale”.

Menjëherë reaguan socialistët. Përmes Tëitterit kryetari Edi Rama shkruante se “që kreu i shtetit e ai i SHISH janë shërbëtorë të Kryeministrit, e thonë faktet jo opozita” dhe se “që ky emërim i bërë në këto kushte, është pjesë e përshkallëzimit të kapjes së shtetit, kjo duket acik”, thekson zoti Rama. Ndërsa në një deklaratë zyrtare të partisë socialiste vihet theksi te e kaluara e zotit Visha Ajazi Lika si drejtor I kundërzbulimit në shërbimin sekret të fillim viteve ’90, një institucion që sipas tyre u kthye në dorën mafioze të zotit Berisha. “Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se është vetë Sali Berisha me dorën e tij që e ka kthyer bashkëpunëtorin e Gazidedes në Tiranë, për ta përdorur si ushtar”, shprehen socialistët. Nga ana e tij kryetari Rama nënvizonte edhe se sipas tij është “fakt i njohur botërisht se kreu i shërbimit sekret shqiptar nuk mund të emërohet pa u konsultuar me aleatin më të madh strategjik”.

Ambasada amerikan në Tiranë reagoi menjëherë pas publikimit të dekrettit të presidentit Bujar Nishani për shkarkimin e zotit Shaqiri. Burime të nivelit të lartë pranë saj u shprehën se ishin vënë në dijeni të vendimit nga mediat duke theksuar se “koha dhe arsyet përbëjnë pikëpyetje”. Në 2010 shtetet e Bashkuara por edhe Nato ndërhynë energjikisht duke ndalur një përpjekje të shumicës për të ndryshuar ligjin për shërbimet sekrete e për të spostuar për pasojë që në atë kohë zotin Shaqiri.
XS
SM
MD
LG