Lidhje

Shkencëtarët britanikë punojnë për teleskopin e hapësirës EELT


Shkencëtarët britanikë punojnë për teleskopin e hapësirës EELT
Shkencëtarët britanikë punojnë për teleskopin e hapësirës EELT

Shkencëtarët në Britaninë e Madhe kanë ndërtuar një seri pasqyrash tipike, të cilat mund të përdoren për ndërtimin e një teleskopi gjigand, i planifikuar për t’u ndërtuar nga Observatori Evropian i Hapësirës. Teleskopi shumë i madh evropian EELT, siç do të quhet ai, do të jetë më i madhi i ndërtuar ndonjëherë dhe do t’u mundësojë shkencëtarëve të shikojnë qartë në shtresat e largëta të hapësirës.

Kur të ndërtohet, Teleskopi evropian EELT do të jetë më i madhi në botë, 100 herë më i ndjeshëm se teleskopët që aktualisht fotografojnë yjet dhe planet e tjera rreth Tokës.

Madhësia e teleskopit EELT do të thotë që imazhet e marra prej tij do të jenë 15 herë më të qarta nga ato që merren nga teleskopi i hapësirës Hubble dhe këto imazhe do t’i ndihmojnë astrofizikanët që t’u përgjigjen pyetjeve të pazgjidhura rreth universit.

Madhësia e teleskopit dhe dizenjoja e tij e veçantë do t’u mundësojë astronomëve që të mësojnë rreth galaktikave, që u formuan pas Big Bengut, të zbulojnë sekretet e gropave të zeza dhe të krijojnë imazhe, që do të zbërthejnë misteret e hapësirës së thellë.

Syri i teleskopit do të ketë një diametër prej 42 metrash dhe do të ndërtohet me pasqyra të dizenjuara në mënyrë të veçantë.

Shkencëtarët në Universitetin Glyndwr në Wrexham të Uellsit verior po prodhojnë një seri pasqyrash, që mund të përdoren si pjesë e teleskopit EELT, madje ata shpresojnë që nëpërmjet këtyre pasqyrave të shikohet hapësira.

Profesori i Optikave në Universitetin Glyndwr, David Walker thotë se syri i teleskopit përbëhet nga pllaka prej pasqyre.

"Ideja është që syri 42 metra i gjatë i teleskopit EELT të vishet me pllaka pasqyre ashtu siç shtrohen pllakat në murret e një banje. Çdo pllakë në formën e gjashtëkëndëshit do të ketë një diametër prej 1,4 metra dhe për të veshur syrin e teleskopit do të duhen 1 mijë e 148 pllaka të tilla".

Observatori Evropian i Hapësirës, një konsortium prej 14 vendesh, ka kërkuar 7 lloje pasqyrash para se të pranojë kontratën përfundimtare.

Profesor Walker thotë se pasqyrat duhet të jenë tepër të pastra për të marrë një imazh të përsosur.

"Pasqyrat janë një pjesë e vogël xhami i ndritshëm, që do të lustrohen dhe nëse i shikon nga afër, do të kenë një sipërfaqe shumë të lëmuar. Kjo bën të mundur që imazhi i një ylli të pasqyrohet qartë".

Për t’u siguruar që pasqyrat përmbushin këto kërkesa strikte, Britania ka ndërtuar një prej qendrave më të përparuara për testimet optike.
Kjo kullë 10 metërshe dhe pajisjet brënda saj masin saktësinë e lustrimit të pasqyrës në më pak se një të mijtën e trashësisë së një fije floku. Kulla është ngritur brënda një viti dhe ka shpresa që kjo strukturë me vlerë prej 2.4 milion dollarësh do t’u japë shkencëtarëve avantazh ndaj një kompanie franceze, që gjithashtu po konkuron për kontratën.

Dr. Paul Rees po nga Universiteti Glyndwr thotë se pasqyrat duhet të jenë në gjendje të kontrollohen me përsosmëri absolute.

"Copat e pasqyrave duhet të kontrollohen dhe të vendosen në mënyrë të tillë që të veprojnë sikur të jenë një sipërfaqe e vetme optike".

Secila prej 1 mijë e 148 pasqyrave do të jetë plotësisht e lëvizshme për t’u përshtatur, gjë që do të përmirësojë cilësinë e imazhit.
Parashikohet se për ndërtimin e teleskopit EELT do të duhen deri në 8 vjet dhe ai do të ndërtohet në malin Cerro Armazones, në shkretëtirën Atacama të Kilit.

Ekipi duhet të provojë për Observatorin Evropian të Hapësirës se dizenjoja e tij dhe teknologjia e zhvilluar do t’i mundësojë ekipit të ndërtojë dhe prodhojë pasqyrat me shpejtësi dhe saktësi.

Dr. Rees thotë se e ardhmja e zbulimeve në hapësirë varet nga projekte të tilla si teleskopi EELT.

"Pa teleskopë të kësaj madhësie dhe saktësie, ekziston frika se zbulimet që janë bërë që pas luftës në shekullin e 20-të dhe gjatë këtij shekulli, do të mbeten në vend numëro pas 10-15 vjetësh".

Llogaritet që ndërtimi i teleskopit EELT të kushtojë 1.4 miliardë dollarë, madje shpresohet që ai të vihet në funksionim deri në vitin 2018.

XS
SM
MD
LG