Lidhje

Shkencëtarët krijojnë material super-ngjitës bazuar tek këmbët e hardhucave


Imagjinoni një material ngjitës që është aq i fortë saqë mund të mbajë pas një muri një objekt me peshë më të madhe se 300 kilogramë. Shkencëtarët kanë arritur të prodhojnë një ngjitës të tillë duke studiuar këmbët e një tipi hardhuce.

Për mëse një shekull shkencëtarët janë munduar të kuptojnë se si një hardhucë, një zvarranik i vogël që peshon vetëm rreth 140 gramë, mund të ngjitet në një sipërfaqe të lëmuar vertikale apo të ecë pa problem në një tavan, e kapur kaq mirë pas tij saqë do të duhej një peshë prej 4 kilogramësh për ta shkëputur.

Proddhimi i një materiali që do të imitonte vetinë e fuqishme ngjitëse të këmbëve të vogla të hardhucave do të është diçka mjaft e dëshiruar dhe do të gjente përdorim të gjerë si në industrinë civile ashtu edhe në atë ushtarake.

Çelësi i aftësisë së hardhucave për t’u ngjitur në sipërfaqe vertikale dhe për t’u kapur pas tyre, janë miliona qimet mikroskopike, apo setae, të cilat mbulojnë shputat e këmbëve elastike të këtyre zvarranikëve. Setae-t janë aq të holla saqë ato krijojnë një lidhje elektrostatike me molekulat e çfarëdo objekti mbi të cilin hardhucat janë duke u ngjitur. Sado që kapja pas sipërfaqeve është tepër e fuqishme, hardhucat mund të shkëputen prej tyre thjesht duke përkulur kyçet, ndërkohë që ato ecin mbi këto sipërfaqe.

Studiuesit kanë qenë në gjendje të imitojnë fuqinë ngjitëse të qimeve mikroskopike duke përdorur nanoteknologjinë. Por Duncan Irschick, ekspert i strukturave fizike në Universitetin e Masaçusetsit në Amherst, thotë se ata ende nuk kanë arritur të bëjnë të mundur që ngjitësi artificial të jenë në gjendje të mbajnë pesha shumë të rënda.

Prandaj zoti Irschick dhe kolegët e tij përdorën një strategji tjetër për të prodhuar materialin ngjitës që ata e quajtën “Geckskin” nga emri “Gecko” i hardhucës në fjalë. Nisur nga hipoteza se aftësia ngjitëse e këmbëve të hardhucave nuk varej vetëm nga qimet mikroskopike, por edhe nga anatomia e brendshme unike e këmbëve të tyre, shkencëtarët vendosën të simulonin atë anatomi në një material ngjitës.

“Donim të krijonim tendinën që ne mendojmë se luajnë një rol vërtet të rëndësishëm në ngjitjen pas sipërfaqeve. Pastaj ne përdorëm atë që quhet ngjitës i mbuluar. Pra, ngjitësi “Geckskin” përdor disa elementë që kanë hardhucat. Përdor anatominë e tyre, por nuk riprodhon qimet e holla që kanë hardhucat. Me pak fjalë, mund të themi që ngjitësi ynë mund të mbajë pesha shumë të rënda në sipërfaqe të lëmuara, në mënyrë të ngjashme me hardhucat, por në të njejtën kohë mund të hiqet me lehtësi, si këmbët e hardhucave kur ecin.”

Për të rikrijuar tendinën që lidhin kockën me lëkurën tek këmbët e hardhucave, Alfred Crosby, një shkencëtar i Universitetit të Masaçusetsit, thotë se studiuesit përdorën materiale me përbërje të ndryshme dhe i ndërthurën ato për të krijuar një material që të mund të kapej në mënyrën më të mirë të mundshme me sipërfaqet.

Rezultati ishte ngjitësi “Geckskin” me sipërfaqe 406 milimetra katrorë, më i vogël se një kartolinë, i cili mund të mbajë të ngjitur pas një sipërfaqeje vertikale një objekt me peshë më të madhe se 317 kilogram dhe që mund të hiqet me lehtësi pa lënë ndotje në mur, si ndodh në rastin e ngjitësve të zakonshëm. Materiali i ri mund të ngjisë në mënyrë të sigurtë një televizor me ekran të sheshtë pas një muri.

Fondet për projektin e krijimit të ngjitësin “Geckskin” u dhanë nga Agjencia amerikane e Projekteve Studimore të Avancuara të Mbrojtjes. Kjo agjenci qeveritare shpreson të përdorë ngjitësin “Geckskin” për projektin e saj “Z-Man”, për t’u ardhur në ndihmë forcave speciale të jenë në gjendje të ngjisin muret, si personazhi i njohur Spiderman, Njeriut Merimangë.

XS
SM
MD
LG