Lidhje

Shkencëtarët lëvizin akrepat e Orës së Fundit të Botës më pranë mesnatës

  • William Ide

Shkencëtarët lëvizin akrepat e Orës së Fundit të Botës më pranë mesnatës

Shkencëtarët lëvizin akrepat e Orës së Fundit të Botës më pranë mesnatës

Një grup shkencëtarësh të shquar ndërkombëtarë thonë se dështimi i udhëheqësve botërorë për të përparuar me programet e pakësimit të armëve bërthamore dhe mungesa e masave ndaj ndryshimieve klimatike, i ka detyruar të lëvizin akrepat Orës së Fundit të Botës një minutë më pranë mesnatës - momenti që simbolizon një shkatërrim të mundshëm të globit.

Përpjekjet për të çliruar botën prej armëve bërthamore po hasin në pengesa, dhe kjo është arsyeja kryesore pse Buletini i Shkencëtarëve Bërthamorë lëvizi Orën e Fundit të Botës, duke e çuar në pesë minuta para mesnate. Lawrence Krauss është bashkë-kryetar i bordit të organizatorëve të grupit, shumë anëtarë të të cilit janë fitues të çmimit Nobel, i cili thotë:

“Sot, përballë rrezikut të qartë të shtimit të armëve bërthamore, ndryshimeve klimatike dhe vështirësive të vazhdueshme për të gjetur burime të pandërprera dhe të sigurta energjie, bizneset si zakonisht kryesojnë në udhëheqjen e botës.”

Dy vjet më parë, shpresat për bashkëpunim midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe zgjedhja e Presidentit Barak Obama, e frymëzuan grupin e shkencëtarëve ta lëviznin orën një minutë pas, në gjashtë minuta para mesnate. Tani, ajo shpresë është kthyer në pasiguri.

“Në një kohë kur do të mbahen zgjedhje në Shtetet e Bashkuara, në Rusi, në Francë dhe po ndryshohet udhëheqja kineze, po krijohen disa pasiguri mbi programet bërthamore të këtyre vendeve dhe mbi politikat që do të ndjekin udhëheqësit e rinj.”

Robert Socolow, anëtar i bordit mbi sigurinë dhe shkencën i grupit, i kërkoi udhëheqësve botërorë t’i kërkojnë përgjigjet tek shkenca.

“Bota është në vështirësi. Shumë njerëz duan të kenë një jetë më të mirë se ajo që kanë tani në këtë planet me përmasa të kufizuara dhe jo aq të madh sa do të dëshironim ne. Prandaj ka probleme me atmosferën, me pyjet, me oqeanet, me sistemet tona politike dhe me vlerat tona.”

Megjithatë, grupi i shkencëtarëve e cilësoi Pranverën Arabe dhe përpjekje të tjera të qytetarëve në botë për të shprehur mendimin e tyre si ngjarje pozitive. Pavarësisht nëse jemi në Nju Jork apo në Rusi, grupi thotë se fuqia e njerëzve është thelbësore për përballjen e sfidave të shumta në botë.

XS
SM
MD
LG