Lidhje

Shkencëtari bërthamor iranian kthehet në atdhe, pretendon se është torturuar


Një shkencëtar bërthamor iranian tha se është torturuar ashpër psikologjikisht dhe fizikisht nga hetuesit amerikanë dhe se CIA i kishte ofruar atij miliona për informacione zbulimi. Ndërkohë, zyrtarët amerikanë japin një version tjetër të ngjarjeve. Shahram Amiri u zhduk vitin e kaluar dhe u rishfaq këto ditë papritur në Uashington. Dje, ai u kthye nga Shtetet e Bashkuara në Teheran ku u prit nga zyrtarë të qeverisë dhe njerëz të familjes së tij.


Shtetet e Bashkuara thonë se Shahram Amiri u arratis me vullnetin e tij por pastaj ndryshoi mendje dhe vendosi të largohet nga Uashingtoni dhe të të kthehet në atdhe.

Në aeroportin Imam Khomeini të Teheranit, ai u prit nga zëvendës ministri i jashtëm i Iranit si dhe njerëzit e familjes, duke përfshirë djalin e tij 7 vjeçar.

Deklaratat që bëri sot Amiri e shtuan vellon e misterit rreth historisë së tij.

Irani e ka përshkruar kthimin e Amirit si një shuplakë për zbulimin amerikan që sipas tij është i dëshpëruar për informacione mbi programin bërthamor iranian.

Por zyrtarët amerikanë thonë se ishte vetë 32 vjeçari iranian i cili kërkoi kontakt me ta.

Ata nuk kanë pranuar në asnjë rast se Amiri ka qenë në territorin amerikan para ditës së martë kur ai u shfaq në ambasadën pakistaneze në Uashington dhe kërkoi të kthehej në atdhe.

Pas kthimit, duke folur me gazetarët, shkencëtari bërthamor iranian, tha se ishte rrëmbyer nga CIA dhe nga agjentë sauditë në Medinë të Arabisë Saudite.

“Më bënë një inxheksion duke më lënë të pavetëdijshmëm pastaj më dërguan në Shtetet e Bashkuara me një avion ushtarak,” deklaroi Amiri. Gjatë dy muajve të parë iu nënshtrova torturave të ashpra psikologjike nga agjentë dhe hetues të CIA-,” tha ai.

Amiri pretendon se gjatë hetimit kanë qenë të pranishëm edhe agjentë izraelitë dhe se agjentët e CIA-s i kanë ofruar atij 50 milion dollarë për të qendruar në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë, gazeta Washington Post citon sot zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, sipas të cilëve CIA i ka dhënë shkencëtarit iranian më shumë se 5 milionë dollarë për informacione mbi programin bërthamor të Iranit.

Por sipas zyrtarëve amerikanë të cituara nga gazeta, Amiri nuk do të jetë në gjendje t’i marrë këto para në sajë të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit. Ata thonë gjithashtu se Amiri u ka dhënë atyre informacione me rëndësi.
Shkencëtari iranian nuk dha hollësi të tjera për të hedhur dritë mbi kohën gjatë së cilës ishte në Shtetet e Bashkuara por tha se do t’i provojë pohimet e tij kur të vijë koha.

XS
SM
MD
LG