Lidhje

Shkodër: Forca të Trupës Mbrojtëse të Kosovës në ndihmë të zonave të përmbytura

  • Pëllumb Sulo
  • Shkodër
  • Zëri Amerikës

Shkodër: Forca të Trupës Mbrojtëse të Kosovës në ndihmë të zonave të përmbytura

Shkodër: Forca të Trupës Mbrojtëse të Kosovës në ndihmë të zonave të përmbytura

Pas mbërritjes së trupave mbrojtëse të Kosovës në zonat e përmbytura të Nënshkodrës, ka qenë vetë ministri në largim i këtyre trupave, Femi Mujota, i cili ka arritur në Shkodër për të shprehuar mbështetjen e qeverisë dhe popullit të Kosovës për banorët e zonave të përmbytura.

Gjatë një takimi në shtabin e emergjencave civile të Qarkut të Shkodrës, zoti Mujota tha se, nëse do të jetë nevoja, Kosova do të dërgojë edhe trupa të tjera në mbështetje të operacioneve humanitare në zonën e Nënshkodrës:


" Kemi ardhur për të shprehur solidaritetin e qeverisë e popullit të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të Kosovës dhe për të përkrahur qytetarët që kanë nevojë në këto momente.

Si forcë e sigurisë së Kosovës, krejt ç’ka kemi në dispozicion, me teknikën, me njerëz profesionistë, me mjekët dhe, natyrisht, me ndihma të tjera konkrete, jemi të gatshëm ta ndihmojmë popullatën që ka nevojë të mbështetet në këto momente." - tha ministri.

Ndërkohë, zevendës Kryeministri Ilir Meta, i cili po drejton në Shkodër të gjithë punën për përballimin e situatës së përmbytjes, u shpreh se edhe ndihma të tjera pritet të vijnë, pas atyre të dërguara nga Kosova, Turqia, Greqia, dhe Italia.

Zoti Meta tha se vazhdon të jetë prioritet procesi i evakuimit të popullatës nga zonat e rrezikuara si dhe operacionet për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Për shkak të ndërprerjes së përkohshme të rreshjeve dhe paksimit të shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës deri në 1700 metër kub ujë në sekondë, niveli i ujrave në zonën e përmbytjes është ulur me disa centimetër, por sipërfaqja e përmbytur ka mbetur në shifrat e 14 mijë hektarëve dhe disa mijra banesave nën ujë.

Sipas autoriteteve, deri tani janë evakuar 14 mijë persona, por kjo shifër duhet të jetë më e lartë, pasi vetëm nga 6 lagjet e përmbytura brenda qytetit të Shkodrës janë evakuar më shumë se 7 mijë persona.

XS
SM
MD
LG