Lidhje

Shkodër, investimi i dështuar dëmton mjedisin


Pesë vite më parë, kur nisën punimet për ndërtimin e rrugës unazore (bypasit) të Shkodrës për ta lidhur atë me Tiranën dhe Hanin e Hotit, u tha se bypasi do të shpëtonte pjesën perëndimore të qytetit nga përmbytjet që vinin nga liqeni dhe Lumi Buna si dhe do të shërbente edhe si zonë turistike. Punimet e nisura me ngut, me një fond fillestar prej 1 miliard e rreth 900 milionë lekësh, u ndërprenë nga dy firmat ndërtuese në fund të vitit 2012 për shkak të mospagesës së tyre. Që atëherë, bypasi i Shkodrës, një projekt 55 milionë eurosh, i reklamuar si i pari i këtij lloji në Shqipëri, është shndërruar në vend depozitim mbeturinash dhe ndotës i liqenit dhe vetë qytetit.

Shkodër: Investimi rrugor dëmton mjedisin
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:32 0:00

Bypasi ka dy vjet që nuk funksionon si projekt dhe realisht është kthyer në një fushë grumbullimi mbetjesh urbane dhe mbetjesh të ngurta. Hedhja e mbeturinave në këtë zonë ende po vazhdon dhe kjo po dëmton ekosistemin. Krahas ndotjeve të përqendruara që ka ekosistemi përsa i takon derdhjes së ujrave të zeza, tani kemi edhe ndotje të përqendruara urbane në këtë ekosistem, duke e përkeqësuar kështu vlerën ekologjike të ujrave.

Ndërkohë, këshilltari bashkiak i Shkodrës, Fatlum Nurja, e quan tashmë bypasin perëndimor të Shkdorës një projekt të dështuar.

"Kjo është një situatë absurde shumë dimensionale, ku nga njëra anë kemi programe dhe projekte të REC dhe Bankës Botërore për të ruajtur ekosistemin e një liqeni, si më i madhi në Ballkan, ndërsa në anën tjetër, kemi shpenzime që dëmtojnë ekosistemin. Ky është një rast absurd, duke patur parasysh se Shqipëria rreth 72 përqind të Prodhumit të Brendshëm Bruto i ka borxhe dhe një pjesë e borxheve janë investime si ky i bypasit të Shkodrës. Mendoj se ne po paguajmë interesat e këtyre borxheve pa marrë frytet e tyre dhe, në këtë këndvështrim, bypasi është një investim i dështuar", thotë zoti Nurja.

Situata problematike, e krijuar përgjatë bregut të Lunit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, është pranuar edhe nga kryetaria e bashkisë, Voltana Ademi, gjatë një dëgjese publike për projekbuxhetin e bashkisë së këtij viti.

"Përsa i përket pjesës së bypasit, atje në fakt kemi një situatë të vështirë që duhet t’i gjejmë një zgjidhje. Zgjidhje teknike pikë së pari, pastaj investuese. Sepse ashtu nuk funksionon".

Ndërkohë, Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, i cili pesë vite më parë, kur nisën punimet, mbante postin e Zv. Kryeministrit, u shpreh para pak ditësh gjatë një seance parlamentare se byasi i Shkodrës ka probleme të mëdha teknike, pa ofruar një zgjdhje për ecurinë e mëtejshme të projektit.

"Përsa i takon bypasit të Shkodrës edhe kjo është një vepër e trashëguar, me probleme shumë të mëdha teknike. Nuk është financuar, siç nuk janë financuar disa projekte të tjera, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje për riparime teknike të projektit".

Për këshilltarin Fatlum Nurja, në gjendjen e tanishme, By Passi perëndimor i Shkodrës është shndërruar në një problem serioz, jo vetëm për Liqenin e Shkdorës dhe Lumin Buna, por edhe për vetë qytetin. Ndaj, sipas tij, si qeverisja vendore dhe ajo qendrore, duhet të marrin vendime të përbashkëta për të mos lejuar përkeqësimin e mëtejshëm të gjendjes.

Në këtë rast, as nuk është marrë produkti i këtij investimi dhe as nuk është mbrojtur ambienti. Mendoj se ky është një dëm i jashtëzakonshëm për Shkodrën dhe këtë, natyrisht nuk e ka bërë bashkia, por as nuk mund ta rregullojë ajo. Besoj se është e nevojshme urgjentisht një tryezë mes bashkisë dhe qeverisë që, në kuadër të fondeve të zhvillimit të rajoneve, të rikonsiderojnë edhe një herë këtë projekt për të ruajtur ambientin, por edhe që të ofrohet shërbimi i këtij bypasi.

Por përfaqësuesja e Forumit Ndërkufitar për Liqenin e Shkodrës, Djana Bejko, shprehet kundër vazhdimit të punimeve, pasi, sipas saj, bypasi shtrihet brenda zonës së mbrojtur Ramsar, me rëndësi të veçantë ndërkombëtare, shpallur si e tillë në vitin 2006.

"Ky ekosistem është zonë e mbrojtur e rëndësisë ndërkombëtare dhe, si e tillë, është absolutisht e ndaluar që të afrohesh deri në zonimin e këtij ekosistemi. Zonimi presupozon që zonat të jenë të paprekura dhe ligji nuk lejon që pranë këtij ekosistemi të ketë aktivitet njerëzor. Vetë idea e ndërtimit të bypasit përgjatë brigjeve të këtij ekosistemi ka qenë një ndër gabimet fatale, që realisht është kundërshtuar me kohë nga të gjitha strukturat ambientaliste dhe organizatat e shoqërisë civile".

Megjithëse kanë kaluar tre vite nga ndërprerja e punimeve në byasin e Shkodrës, ende nuk është e qartë se cila do të jetë e ardhmja e këtij projekti. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, deri tani askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për dëmin, disa miliona dollarësh, shkaktuar buxhetit të varfër të shtetit shqiptar dhe as ndotjes së mjedisit dhe ekosistemit të Liqenit të Shkodrës, më i madhi në Ballkan.

XS
SM
MD
LG